
Tashmë që procesi i regjistrimit online të diasporës ka nisur, janë shfaqur dhe problematikat e para, të cilat po denoncohet nga opozita.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka folur lidhur me zgjedhjet parlamentare 2025, ndërsa ngriti shqetësimin që po hasin shqiptarët që duan të votojnë pasi një numri të madh iu kanë skaduar kartat e identitetit.
Teksa kërkoi qeverinë të reagojë për zgjidhjen e situatës, Bylykbashi u shpreh se mazhoranca mund të tentojë të regjistrojë vetëm personat që ka në patronazhimin e saj.
“Ndërkohë që ligji është i ashpër dhe thotë kush ka dokument të vlefshëm mund të regjistrohet. Një pjesë e madhe e kanë të skaduar dokumentin. Ne për fat na thotë ODIHR që 600 mijë persona i kanë dokumentet e skaduara. Kjo është detyra e qeverisë. Në 2021 dhe 2023 në një situatë të ngjashme nxori një vendim për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së dokumentit të skaduar vetëm për të votuar. Në Himarë lanë 6000 veta pa votuar dhe e grabitën bashkinë.
Duhet qeveria të miratonte para 11 janarit një akt për të zgjidhur problemin. Kushtetuta thotë që shtetasit shqiptarë kanë të drejtën e votës. PS do të lerë jashtë ata që nuk kanë dokumente dhe të rinovojë vetëm ato që ka në patronazhim. Ministria ka nxjerrë konsullatat e lëvizshme, diçka e jashtëligjshme. Ja çojnë vetëm atyre që duan”, tha Bylykbashi për “A2 CNN”.
Lini një Përgjigje