TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Prill 2026, 10:00

Vizita në Athinë, Rama lajka Mitsotakis: Greqia ka vullnet për adresimin e çështjeve të mbartura

Shkruar nga Pamfleti
Vizita në Athinë, Rama lajka Mitsotakis: Greqia ka vullnet për
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, në podkastin e tij të së dielës, “Flasim”, ka bërë një përmbledhje të javës, duke u ndalur tek zhvillimet e politikës së jashtme pas vizitës në Athinë ku u takua me homologun grek, Kyriakos Mitsotakis.

Në një linjë komunikimi që synon të nxjerrë në pah klimën pozitive mes dy qeverive, Rama u shpreh optimist për një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe.

Sipas tij, Athina zyrtare ka treguar gatishmëri për të adresuar çështjet e vjetra që kanë shoqëruar raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndërsa brenda vitit pritet edhe formalizimi i një dokumenti të ri të Partneritetit Strategjik.

“Ndalimi në Athinë ishte i një natyre tjetër, por i lidhur me pozicionin e Shqipërisë dhe dëshirën për ta parë Shqipërinë të përfaqësuar në nivelin më të lartë dhe për të dëgjuar qëndrimet dhe opinionet tona, posaçërisht në këtë rast, në një forum ekonomik me reputacion dhe prestigj ndërkombëtar, ku për shkak të fqinjësisë dhe historisë, Shqipëria kishte një vend të posaçëm në atë platformë, ku diskutohen drejtimet kryesore të zhvillimit global, por edhe të atij rajonal, por edhe të marrëdhënies me vendin fqinj. Shkova të marrë pjesë në forum, por pata kënaqësinë të pritesha nga kryeministri i Greqisë Mitsotakis, një mik i vyer i Shqipërisë, me të cilin bëmë një bilanc të ecurisë së punës së grupit të përbashkët që kemi ngritur, për t’i dhënë njëherë e mirë përgjigje të gjitha çështjeve të mbartura dhe për ta çuar në një nivel të ri marrëdhënien ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Greqisë. Më vjen shumë mirë të them se nga ana e Mitsotakis ka një vullnet absolut për të bërë adresimin e të gjitha çështjeve të mbartura dhe për të konfirmuar brenda këtij viti përmes një dokumenti të ri të Partneritetit Strategjik, natyrën shumë speciale të marrëdhënies mes dy vendeve dhe nga ana tjetër për ta mbështetur Shqipërinë gjithmonë në rrugën drejt BE. Jam besimplotë se do të arrijmë të adresojmë çështjet e mbartura dhe do të forcojmë edhe më shumë marrëdhënien tonë përmes një kujdesi të posaçëm, qoftë për minoritetin grek në Shqipëri dhe qoftë për shqiptarët në Greqi”, tha mes të tjerash Rama.

Në thelb të deklaratave të kryeministrit shqiptar qëndron ideja e një “rifreskimi” të marrëdhënieve me Greqinë, duke e zhvendosur fokusin nga çështjet problematike drejt bashkëpunimit strategjik.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se cilat konkretisht janë çështjet që do të marrin zgjidhje dhe nëse dokumenti i ri i paralajmëruar do të përfshijë tema të ndjeshme si kufiri detar apo të drejtat e komuniteteve.

Nga ana tjetër, Rama thekson mbështetjen greke për integrimin europian të Shqipërisë, një element që shpesh përdoret si pikë afrimi në diskursin diplomatik mes dy vendeve.

 

vizita në athinë rama- mitsotakis

1 Komente

  1. S
    Spartan

    Ochi re Malaga , ola tha kane kaka qe kaka ...ise trelos

    Lini një Përgjigje