
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, gjatë fjalës së tij në prezantimin e programit elektoral për zgjedhjet e vitit 2025, tha se PD do të mbështesë fuqimisht SPAK-un edhe pas ardhjes në pushtet.
Ai shtoi se PD planifikon heqjen e imunitetit të deputetit në rast përballje me SPAK-un.
“Ne do bëjmë një luftë horizontale të korrupsionit dhe të korruptuarve në çdo degë të pushtetit publik, duke vendosur burime njerëzore dhe mjetet e duhura në dispozicion. SPAK nuk do të lihet vetëm dhe as do të jetë i vetmi. Gjyqtarët dhe gjyqësori do të mbrohen me çdo kusht nga sulmet.
Nëpërmjet ligjit penal dhe anti mafia do të pastrojmë sektorin publik, do të çojë përpara përgjegjësisë çdo zyrtar dhe ish-zyrtar të korruptuar dhe do të kërkojë konfiskimin e aseteve të tyre.
PD ofron mbështetje ndaj SPAK me burime financiare dhe njerëzore, heqje totale e imunitetit të deputetëve për t’i hapur rrugë hetimit të plotë nga SPAK”, tha Alibeaj.
Ai u zotua se me ardhjen në pushtet, PD do të nisë verifikim e ligjshmërisë për çdo prokurim publik, PPP apo koncesion. Alibeaj shtoi se kompania që kapet në shkelje, do të përjashtohet 20 vite nga shërbimi publik.
"Verifikimi i ligjit antimafia për kontratat e koncensioneve, PPP-ve, partneriteteve strategjike. Synojmë çlirimin e ekonomisë, rikuperimin e parasë publike dhe rikthimin e besimit publik. Për të arritur këtë qellim do të angazhohemi për verifikim e kontratave koncesionare, PPP-vë, prokurimeve publike, Çdo kontratë korruptive do të anulohet. Kompania që gjendet në shkelje do të përjashtohet nga shërbimi publik për 20 vite", shtoi ai.
Lini një Përgjigje