
Peleshi kërkoi nga deputetët që të vendoset një standard i ri në Kuvend, duke u zbatuar me përpikëri Kushtetuta dhe Kodi Etik.
Niko Peleshi ka mbajtur fjalën si kryetar i Parlamentit menjëherë sapo u zgjodh me 84 vota pro.
Në fjalën e tij, Peleshi u shpreh se objektivi për anëtarësimin e Shqipërisë në BE do të udhëheqë diplomacinë parlamentare.
Kryeparlamentari i ri i Shqipërisë u zotua për t’i krijuar çdo deputeti hapësirën e nevoshme të fjalës dhe për t’i kushtuar rëndësinë e duhur të gjithë ligjvënësve.
Ai kërkoi nga deputetët që të vendoset një standard i ri në Kuvend, duke u zbatuar me përpikëri Kushtetuta dhe Kodi Etik.
“Një moment historik për Shqipërinë, ndaj ndihem dyfish i vlerësuar dhe thellësisht mirënjohës dhe angazhohem për ta kthyer këtë besim në një shtysë për të punuar me përkushtim çdo ditë. Dëshiroj të falenderoj Elisa Spiropalin për kontributin e vyer gjatë vitit të fundit të legjislaturës së kaluar. Falenderoj të gjithë deputetët, pavarësisht votës pro apo kundër apo mospjesëmarrjes në votim dhe do bëj gjithçka mundem për të krijuar hapësirën e nevojshme të fjalës në parlament, statusin e ri dinjitoz të deputetit dhe kuvendit, infrastrukturës së përshtatshme për lehtësimin e punës së deputetit.
Do doja të vendosnim një standard të ri të respektimit të Kushtetutës, rregullores dhe Kodit të Etikës. Ne jemi bashkëudhëtarë dhe kontribues në segmentin final dhe të shumëpritur të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Objektivi strategjik që synon mbylljen e negociatave në 2027 dhe anëtarësimin në BE brenda vitit 2030 do udhëheqë diplomacinë tonë parlamentare në vitet që vijnë. Ky është angazhim që kërkon punë të pandërprerë.
Gjuha e urrejtjes, dhuna verbale bëhen pengues për të ndërtuar mendësinë e re europiane. E kundërta modelojnë shoqërinë bashkëpunuese. Marrëdhëniet me PE do të thellohen më tej, ndërsa do thellojmë komunikimin me parlamentet e 27 vendeve anëtare. Është detyra jonë të mbajmë gjallë bashkëpunimin me Kuvendin Kosovës dhe të punojmë për të drejtat e shqiptarëve kudo në rajon.
Do ushtrojmë kontrollin ndaj Ekzekutivit duke kërkuar llogari”.- tha Peleshi.
Ndërkohë që Peleshi po mbante fjalën, deputetët e opozitës nuk ndalnin zhurmën teksa godisnin tavolinat.
Lini një Përgjigje