
Niko Peleshi zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë me 84 vota.
Deputeti i PS, Niko Peleshi është zgjedhur kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë me 84 vota pro, 3 kundër dhe 0 abstenim.
Në votim morën pjesë 87 deputetë.
Opozita nuk mori pjesë në këtë proces, por qëndroi brenda seancës, duke ndjekur në heshtje votimin nga karriget.
Deputetët e opozitës i ranë tavolinës kur përmendej emri i Niko Peleshit, ndërsa shumica duartrokiste kryetarin e ri të Kuvendit.
Komisioni i përkohshëm i ngritur për të administruar votat e zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri përbëhej nga Fadil Nasufi, Saimir Asalla dhe Bledi Çomo, të propozuar vetëm nga PS pasi PD refuzoi të merrte pjesë në proces.
Ndërkohë, para zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit, u betuan edhe deputetët e rinj. Nga 140 të tillë, u betuan 135.
2 të zgjedhur nga PSD-ja, Tom Doshi e Sabina Jorgo, njoftuan se kanë hequr dorë nga mandati.
Kurse 3 deputetët e tjerë që munguan në këtë seancë janë nga radhët e PD-së; Jozefina Topalli, Albana Vokshi dhe Oerd Bylykbashi. Ata pritet të votohen në seancën e radhës, megjithëse ligji i lejon që kanë afat deri në 6 muaj. Tre deputetët demokratë munguan në seancën e sotme për arsye personale.
Seanca e betimit të deputetëve të rinj dhe zgjedhjes së kryeparlamentarit u drejtua nga Vasil Llajo i PS, si deputeti më i vjetër pas Sali Berishës dhe Tritan Shehut nga PD-ja, për shkak se këta dy të fundit refuzuan të hapnin seancën.
Lini një Përgjigje