
Safet Gjici ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë së Kukësit pas publikimit të videos duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrën e tij.
Sot në të gjitha mediat ka qarkulluar një video skandal, në të cilën shihet Gjici në marrëdhënie intime më një vajzë. Videoja është filmuar në datën 6 qershor dhe dyshimet janë se kamera ishte vendosur në një çantë.
Gjici në rrjetet sociale ka kërkuar ndjesë për këtë skandal, teksa ka shkruar se e gjitha ka qenë një kurth i përgatitur nga kundërshtarët politikë për të. Ai ka shtuar se me vajzën në video ka një marrëdhënie intime prej kohësh.
"Ndjesë të thellë publike çdokujt që sot ka parë atë material të shëmtuar video. Pas një fushate dhe përballje jo të lehtë me kundërshtarët e mi, pas të cilës rezultova fitues, fatkeqësisht unë rash pre e një kurthi të përgatitur me detaje nga e njëjta dorë njerëzish me të cilët u përballa në zgjedhje. Ja arritën ta bëjnë në një formë tjetër të pistë atë që se bënë dot me votën e kuksianëve. Jam shumë i keqardhur për ngjarjen dhe jam mëse i qartë se në këtë situatë nuk ka vlerë asnjë lloj sqarimi.
Prej disa kohësh unë kam një marrëdhënie intime me vajzën në fjalë por sigurisht nuk kam asnjë justifikim për atë çka ka ndodhur pavarësisht se i rënë në kurth. Nuk mund të jem më unë njeriu që punon në atë zyrë shteti pasi e kam tradhtuar besimin e atyre mijëra njerëzve që besuan e punuan me mua për ta bërë Kukësin një qytet gjithnjë e më të mirë.
Ndjesë të gjithëve dhe mirënjohje gjithë jetën kujtdo më besoi dhe mbështeti. Ishte nderi i jetës time që u njollos nga një mendjelehtësi e pafalshme ndaj sot ndjej detyrimin minimal të jap dorëheqjen! Zoti ju bekoftë të gjithëve!", ka shkruar Gjici.
Ende nuk dihet se kush e ka kryer filmimin dhe nëse kemi të bëjmë me shantanzh apo me kurth siç thotë Gjici. Megjithatë jemi në kushtet e një skandali, pasi zyra e një kryetari bashkie përdoret për marrëdhënie seksuale. Nga ana tjetër opozita ka reaguar ashpër ndaj qeverisë dhe ndaj vetë Gjicit.
Kujtojmë po ashtu se ditën e sotme Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet ndaj Gjicit.
Lini një Përgjigje