Samiti i qershorit në Bruksel do të jetë "moment i së vërtetës" për NATO-n. Donald Trump kërkon një angazhim konkret të Evropës për riarmatimin e saj; në të kundërt, ai kërcënon ta nxjerrë Amerikën nga Aleanca. Evropës i kanë mbetur vetëm 2 muaj kohë për të bindur Trumpin se NATO-ja ia vlen ende të shpëtohet...
Samiti vjetor i NATO-s në Bruksel në datat 24-25 qershor, ka të ngjarë të jetë më i rëndësishmi në dekadat e fundit. Teksa presidenti Donald Trump po kërcënon ta nxjerrë SHBA-në nga kjo aleancë, nuk është shumë larg nga të vërtetës të thuhet se transtlanticistët kanë vetëm 2 muaj për të shpëtuar NATO-n.
Fjalët dhe veprimet e presidentit Trump, i kanë bindur shumë evropianë se është vetëm çështje kohe derisa ai ose ta tërheqë SHBA-në nga NATO, ose t’i bëjë të pakuptimta detyrimet e traktatit themeltar të saj. Por kjo është vetëm pjesërisht e saktë: ajo që kërkon vërtet Trump, është një riorganizim historik i përgjegjësive relative për mbrojtjen kolektive.
Megjithatë, pas disa vitesh kur mori disa premtime nga shumica e aleatëve evropianë, por që në përgjithësi nuk u mbajtën, Trump e ka humbur durimin. Ai me siguri do të mbërrijë në Bruksel me një qëndrim “A nuk ju thashë?!”, duke vënë në dukje se u tregua i saktë në lidhje me varësinë energjetike të Evropës ndaj Rusisë, dhe dështimin e idesë se afrimi ekonomik me Rusinë e Putinit, do të zhdukte impulset agresive të kësaj të fundit.
Ai nuk gaboi, dhe kjo do të thotë se Trump do të dojë një ballafaqim të fundit me udhëheqësit evropianë. Me siguri, ai do të këmbëngulë që ose Evropa të riarmatoset shpejt, ose Amerika do të ndalojë së shpenzuari burimet e saj për mbrojtjen evropiane.
Vetëm premtimet, idetë dhe propozimet nuk do ta kënaqin atë. Nëse liderët evropianë do të shkojnë në Bruksel me këtë qasje, Trump ka të ngjarë të largohet shumë i zemëruar. Kjo do të thotë, se liderët që duan që Amerika të riangazhohet në NATO, duhet të përgatisin një plan të qartë riarmatimi, me afate kohore dhe rezultate.
Sigurisht, kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, duke pasur parasysh gjendjen e dobët të buxheteve të shumë vendeve të aleancës. Për çdo rast si Danimarka, e cila kohët e fundit u angazhua të rritë shpenzimet e saj të mbrojtjes në 3 për qind të PBB-së që këtë vit, ka një rast si Franca.
Presidenti Emmanuel Macron, ka deklaruar se dëshiron të rrisë shpenzimet e vendit të tij në 3.5 për qind të PBB-së. Por niveli i lartë i borxhit dhe deficiti i madh vjetor, po e bëjnë këtë aspiratë jo pak të vështirë për t’u realizuar.
Trump duket se ka një marrëdhënie të mirë me presidentin francez, por ai nuk do të jetë i kënaqur nëse Macron do shkojë në Bruksel vetëm me letra dhe jo me plane konkrete. Në këtë rast, do të ishte mirë nëse Bashkimi Evropian vendos shpejt se si të financojë rritjen e propozuar të presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen, deri në 800 miliardë euro për shpenzimet e mbrojtjes.
Por deri më tani, drejtuesit e unionit 27-anëtarësh, mbeten të ndarë midis atyre që duan të paguajnë për të nëpërmjet huamarrjes në BE - gjë që do të thotë se veriu i pasur do të subvencionojë jugun më të varfër - ose nëpërmjet huamarrjes së vendeve anëtare, gjë që do të rëndonte vendet që kanë tashmë shumë borxhe.
Adhuruesit amerikanë të MAGA-s kanë një thënie: “A e dini sa është ora?”. Ky zhargon, nënkupton se kriza po afrohet dhe nuk kemi më kohë për të humbur. Në rast se Bashkimit Evropian nuk do të mundet të gjejë konsensus mbi planin e saj përpara samitit të NATO-s, prisni që zyrtarët e administratës Trump të arrijnë në përfundimin se Evropa nuk e di se sa është “ora”, dhe do të veprojë në përputhje me rrethanat.
Po ashtu, evropianët duhet të kenë plane të qarta se si t’i shpenzojnë këto para, duke supozuar se e njohin emergjencën që kanë përpara tyre. Ministria e Mbrojtjes e çdo vendi, duhet të hartojë plane që tani, se si do të shpenzojnë të ardhurat e papritura nëse ato do të mbërrijnë.
Sërish, disa kombe po shfaqen më mirë se të tjerët. Kryeministri i ri konservator i Belgjikës, Bart de Wever, kishte planifikuar të rriste buxhetin e vogël të mbrojtjes së vendit të tij në 2 për qind të PBB-së deri në vitin 2029.
Brenda dy javësh nga fjalimi i zëvendëspresidentit amerikan J.D.Vance në Mynih, qeveria e tij e përshpejtoi atë afat për këtë vit, me synim pasjen e “shpenzimeve më të larta që para samiti të NATO-s”. Ky është lloji i vendosmërisë që duan të shohin Trump dhe ekipi i tij.
Tani të gjithë sytë do të jenë tek kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz, për të parë nëse ai do të ndjejë rrugën e De Wever apo do t’i përmbahet fjalëve të Macron-it mbi qasjen ndaj veprave.
Trump do të jetë i kënaqur nëse Merz, marrëveshja e të cilit me socialdemokratët i jep fondet e duhura për një riarmatim të shpejtë, do të shkojë në Bruksel me një mënyrë konkrete për të rindërtuar me shpejtësi ushtrinë gjermane, Bundeswehr.
Por edhe nëse evropianët mund t’i kapërcejnë këto sfida, ato do të përballen me një kërkesë përfundimtare nga Trump: të blejnë armë amerikane. Natyrisht, Evropa dëshiron që të ndërtojë aftësitë e veta mbrojtëse. Dhe kjo ka çuar në thirrjet për të përdorur pjesën më të madhe të çdo shpenzimi të shtuar, për të blerë armë dhe pajisje të ndërtuara në Evropë.
Trump do ta kuptojë këtë, sepse kjo nevojë vlen për marinat e kontinentit. Ai e di se Amerikës i mungon kapaciteti i ndërtimit të anijeve për të përmbushur nevojat e veta dhe aq më pak të Evropës. Por do të jetë më pak i mirëkuptueshëm, kur bëhet fjalë për tanket, aeroplanët dhe armët e sofistikuara elektronike, në të cilat Amerika shkëlqen.
Merz, Von der Leyen dhe të tjerët duhet të përgatiten për këtë përballje të pashmangshme, dhe ta dinë paraprakisht se çfarë janë të gatshëm të blejnë jashtë dhe çfarë jo. Duke pasur parasysh kërkesat, mund të marrin më shumë pajisje më shpejt duke i rritur industritë e tyre. Polonia është një shembull i shkëlqyer i një vendi që po siguron riarmatimin e saj të shpejtë nga Shtetet e Bashkuara, po blen edhe nga Koreja e Jugut, dhe po ndërton industrinë e vet të armëve.
Pra është e mundur edhe mbajtja e lumtur e Xha Semit, por edhe diversifikimi i blerjeve ushtarake. Por kjo vetëm nëse do të ketë një plan të qartë. Thuhet se NATO u formua pjesërisht për të “mbajtur amerikanët brenda dhe rusët jashtë”. Evropianëve u kanë mbetur vetëm dy muaj kohë për ta ruajtur këtë parim themelor./Pamfleti nga ”Brussels Signal”
Lini një Përgjigje