
Deputeti Enkelejd Alibeaj thotë se është raportuar se lënda plasëse e vendosur para banesës së gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj mund të jetë vendosur nga një person që ka përfituar nga amnistia penale që ka qenë duke vuajtur dënimin në burgun e Reçit.
Gjatë fjalës së tij në interpelancë me Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, Alibeaj shprehet se nuk mundet që duart që janë liruar nga amnistia penale të godasin sërish.
"Një kod i heshtjes mafioze, duke iu kërkuar të dënuarve dhe atyre nën hetim, që mos të rrëfejnë. Kjo ishte porosi, se mbrojtja politike është e sigurt. Pëshpërima ishte e thjesht; mbajeni gojën mbyllur se pak kohë burg do të bëni. Amnistia e maskuar si akt falje mëshire, është një shfaqje hipokrizie ndaj partnerëve.
Së fundmi, është raportuar se të dyshuar për bombën ndaj gjykatësit të Shkodrës, gjyqtarit Sterkaj, mund të jetë një nga personat që ka përfituar nga amnistia dhe që janë liruar nga burgu i Reçit dhe që mund të jetë dënuar në fakt nga ky gjyqtar. Një fakt tjetër është i vërtetë, rasti i skifterit që vodhi një makinë në Korçë pa mbushur 12 orë pas lirimit nga amnistia që ju votuat. Siguria publike është cënuar nga ata protagonistë që janë dënuar më para. Nuk mundet që të njëjtat duar që janë liruar sot, nesër të godasin prapë", tha Alibeaj.
Lini një Përgjigje