
Kryeqyteti është zgjuar sot nën masa ekstreme sigurie për shkak të Samitit të Komunitetit Politik Europian, që po zhvillohet në Piramidën e Tiranës me pjesëmarrjen e mbi 40 liderëve europianë. Që në orët e para të mëngjesit, Tirana është blinduar nga policia; rrugët kryesore janë bllokuar, qarkullimi është devijuar dhe kudo janë vendosur barriera metalike e kontrolle të shumta sigurie.
Por, pavarësisht këtij "shtetrrethimi" të plotë, opozita ka njoftuar se në orën 17:00 do të zhvillojë një protestë në kryeqytet. Fillimisht, organizatorët kanë kërkuar që protesta të mbahet pranë Bulevardit Zogu I, por policia ka njoftuar se për shkak të rrethanave të sigurisë, tubimi duhet të zhvendoset te “Bulevardi i Ri”, në afërsi të Unazës.
Situata mbetet e tensionuar, pasi pjesëmarrja masive në protestë mund të përplaset me skenarin e sigurisë së vendosur nga autoritetet për samitin. Në këtë kaos logjistik dhe politik, vihet re edhe mungesa e liderit të opozitës Sali Berisha, i cili ndodhet në Bruksel. Deri në këto momente, nuk dihet nëse do të arrijë në kohë për protestën e pasdites, pasi mësohet se avioni me të cilin udhëtonte ende nuk ka zbritur në Rinas.
Lini një Përgjigje