Pasi shfaqi publikisht mbështetjen për kushëririn e tij, Elton Rroshi kandidat për deputet nën siglën e PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, ish-kryebashkiaku socialist i Kavajës Elvis Rroshi ka dalë në fushatë për të. Së fundmi, Elvis Rroshi është parë edhe në një takim elektoral, ku shihet pranë kushëririt të tij.
Më 6 prill, ish- kryebashkiaku socialist postoi në rrjete sociale posterin e fushatës së djalit të xhaxhait, që kandidon si pjesë listë së hapur në Tiranë të partisë kundërshtare të asaj që mbështeti Elvisin për të marrë drejtimin e bashkisë së Kavajës.
Berisha ka justifikuar përzgjedhjen e Elton Rroshit si kandidat për deputet, duke thënë se kushëriri nuk është mëkatar për ato që ka bërë ish-zyrtari vendor, i cili u përjashtua nga politika përmes ligjit të dekriminalizimit.
Ironia është se vite më parë, vetë Sali Berisha e akuzonte Elvis Rroshin si “kreu i bandës së Kavajës” dhe e lidhte atë me emra të botës së krimit si Emiljano Shullazi. Sot, kjo armiqësi duket se është kthyer në aleancë, me Berishën që promovon në politikë të birin e xhaxhait të ish-kryebashkiakut socialist.
Ndërkohë, vetë ish-kryebashkiaku Rroshi është nën hetim nga SPAK për fshehje pasurie dhe mosjustifikim të të ardhurave, një çështje që hodhi hijen e dekriminalizimit mbi karrierën e tij politike dhe çoi në përjashtimin e tij nga skena politike.
Sali Berisha, nga ana tjetër, ka sqaruar se zgjedhja e Elton Rroshit si kandidat nuk lidhet me të kaluarën e kushëririt të tij, duke e konsideruar atë një individ të veçuar nga e kaluara e ish-zyrtarit socialist.
“Kushëriri nuk është mëkatar për kushëririn. Si quhet ky kandidati? Elton... Me Elvisin se ka lidhje gjaku është gjë tjetër, por nuk ka lidhje, kjo nuk është kriter për kandidatët. Edhe Edi Rama ka dy kushërinj, njëri se na akuzon ne për rrëmbim pronash dhe tjetrin e bën prefekt për të rrëmbyer prona”,ka deklaruar Berisha për kandidatin e tij.
Lini një Përgjigje