TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Prill 2025, 09:37

Kush në SHBA do rikthimin në pushtet të autokratit dhe të korruptuarit Sali Berisha?

Shkruar nga Sam Bright

 Kush në SHBA do rikthimin në pushtet të autokratit dhe të

Fondacioni Heritage, organizata amerikane që hartoi programin kryesor për mandatin e dytë të Donald Trumpit, po përpiqet të diktojë edhe fatin e zgjedhjet të afërta parlamentare në Shqipëri.

Kandidati i opozitës, Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike, është mburrur publikisht për përfshirjen e këtij grupi në fushatën e tij, duke postuar në internet foto të takimeve të tij me drejtuesit e Fondacionit Heritage dhe duke pretenduar se ata kanë ndihmuar në “hartimin” e platformës së tij elektorale.

Berisha, që ka qenë president i vendit në vitet 1992-1997, dhe më pas kryeministër në vitet 2005-2013, shpreson të rikthehet në pushtet pas zgjedhjeve të 11 majit. Pasi e kaloi pjesën më të madhe të vitit 2023 në arrest shtëpie për akuzat e korrupsionit, ai po garon me një platformë konservatore, kundër taksave të larta, dhe i bën jehonë disa prej pikave kryesore të programit të Trump, përfshirë premtimin për ta “bërë Shqipërinë sërish të madhe”.

Fondacioni Heritage e ka rritur ndikimin e tij në Evropë pas fitores së Trumpit në nëntor 2024. Më 11 mars, grupi i ekspertëve amerikanë mblodhi grupe konservatore të linjës së ashpër për të diskutuar si mund të çmontohen strukturat aktuale të BE-së.

“Me Trumpin, Fondacioni Heritage ka dëshmuar se është shumë i aftë t’i vendosë qeveritë në rrugën drejt shkeljes së të drejtave elementare të emigrantëve, sundimit të ligjit dhe të drejtave sociale. Angazhimi i atyre në Shqipëri, hap një kapitull të ri.

Cili vend evropian do të jetë i radhës?”- thotë Kenneth Haar, studiues dhe aktivist në Observatorin e Evropës Korporative. Fondacioni Heritage është autori kryesor i Projektit 2025, manualit prej 922 faqesh që synon reduktimin drastik të administratës publike në SHBA.

Projekti i kërkon Trumpit të “çmontojë shtetin administrativ”, të ndryshojë politikat kundër ndryshimeve klimatike, të zvogëlojë kufizimet në nxjerrjen e karburanteve fosile, të anulojë investimet shtetërore në energjinë e rinovueshme dhe të shpërbëjë Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit.

“Projekti 2025” propozoi dhe kufizimin e të drejtave riprodhuese, duke përfshirë kufizimin e mëtejshëm të aborteve dhe qasjes tek kontraceptivët. Fushatën e Berishës po e këshillon edhe grupi kërkimor gjerman Konrad Adenauer Stiftung (KAS), i cili financohet nga shteti gjerman, dhe është i lidhur me partinë qeverisëse të qendrës së djathtë, Bashkimi Krstiandemokrat (CDU).

Pastaj është edhe Chris LaCivita, ish-shefi i fushatës së Trump. Gjatë fushatës që sapo ka nisur, LaCivita dhe Berisha kanë përsëritur disa nga ankesat kryesore të mbështetësve të Trump. “Kryeministri aktual Edi Rama nuk është gjë tjetër veçse një kukull e George Soros. Nuk mund të jesh një kukull e Soros dhe një mik i Shteteve të Bashkuara!”- tha LaCivita, kur u prezantua si këshilltar i fushatës së Berishës.

Ky i fundit pretendon se është shënjestruar nga një fushatë e udhëhequr nga ish-administrata e Joe Biden dhe financuesi Soros, një filantrop i shquar hungarezo-amerikan, që ka dhuruar shumë para për kauzat liberale.

Por pavarësisht se mori mbështetjen e Fondacionit Heritage, KAS dhe LaCivita, sondazhet sugjerojnë se Berisha nuk ka gjasa të arrijë një rikthim tjetër në pushtet, pasi partia e tij mbetet prapa Partisë Socialiste të Edi Ramës.

Megjithatë, vendi ka një histori të gjatë të korrupsionit politik, dhe zgjedhjet mund të shoqërohen me shumë probleme. Duket se pas fitores së Trump në nëntor, Fondacioni Heritage e ka kthyer gjithnjë e më shumë vëmendjen e tij drejt Evropës. Duke folur gjatë konferencës së Aleancës për Qytetarinë e Përgjegjshme (ARC)

në Londër më 17 shkurt, presidenti i grupit Kevin Roberts bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë midis politikanëve nacional-konservatorë në të gjithë botën perëndimore.

Ai theksoi se Fondacioni Heritage do të mbështetë “miqtë tanë nga Evropa” për të “rikthyer” institucionet e tyre, duke sugjeruar se organizatat mbikombëtare si BE, Kombet e Bashkuara dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë “na e kanë grabitur sovranitetin tonë individual”.

Një muaj pas asaj konference, Fondacioni Heritage mbajti një samit në Uashington me grupet lobuese hungareze dhe polake, MCC dhe Ordo Iuris për të diskutuar se si të rishikojnë strukturat aktuale të BE-së. Sikurse ka zbuluar DeSmog, Fondacioni Heritage ka mbajtur takime private me politikanë evropianë gjatë muajve të fundit, përfshirë atë me kryeministrin hungarez Viktor Orban, qeveria e të cilit financon MCC.

“Nën sundimin e Trump, Fondacioni Heritage synon të drejtojë Amerikën drejt autokracisë”- tha pak kohë më parë për DeSmog, Martin Schirdewan, anëtar i Parlamentit Evropian (PE) për Die Linke dhe bashkë-kryetar i grupimit E Majta.

“Që nga zgjedhja e tij, kemi parë se ata synojnë t’i çojnë deri në fund ato plane. E dimë se Fondacioni Heritage dhe aleatët e tyre në Evropë duan të përsërisin atë model këtu. Ndaj duhet të mbrojmë me çdo kusht shërbimet, të drejtat dhe liritë tona nga këta oligarkë”- theksoi ai.

Në fjalimin e tij të 18 marsit, Berisha shprehu “mirënjohje të veçantë” për “miqtë e mi nga CDU, Adenauer Stiftung dhe Fondacioni Heritage, të cilët na mbështetën në ditët tona më të vështira”. Dhe me “ditë të vështira”, ai i referohet akuzave për korrupsion si dhe për lidhje të dyshuara me krimin e organizuar.

Ai i mohon të gjitha akuzat, edhe pse i është ndaluar hyrja në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, sepse dyshohet se kur ishte kryeministër miratoi një ligj të posaçëm, që e ndihmoi dhëndrin e tij të fitonte miliona euro nga ndërtimi i një kompleksi pallatesh./Pamfleti nga “DeSmog”

shba sali berisha pushteti autokrati

Lini një Përgjigje