Por, nëse do t’u duhet të zgjedhin mes të rinjve të tyre të dashur dhe Vuçiçit, shpresohet se ata do të zgjedhin familjen e tyre...
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç është një autokrat, një propagandist i aftë, që bën rrallë gabime strategjike. Por gjatë një konference për mediat në nëntor të vitit të kaluar, në të cilën kishte planifikuar të shpjegonte arsyet pse Serbia sipas tij nuk është një nga vendet më të korruptuara dhe më të varfra në Evropë, se në fakt ajo po ecën përpara shumë mirë, u duk haptazi i shpërqendruar.
Sepse pikërisht në atë moment, një grup studentësh po protestonin para zyrës së tij, duke i fryrë bilbilave, duke bërtitur me ton të lartë dhe tallur me të. Ata vinin nga Fakulteti i Arteve në Universitetin e Beogradit. Vuçiç u mërzit. Por ç’ishte më e keqja, zhurma që vinte nga tubimi i të rinjve mund të dëgjohej qartë gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të konferencës.
Pra teleshikuesit mund t’i dëgjonin protestuesit. “Është vetëm një grup i vogël studentësh!”- i siguroi Vuçiç mediat, dukshëm nervoz, i shpërqendruar dhe i përflakur në fytyrë. Ai pretendoi se studentët që po protestonin para zyrës së tij, ishin të gjithë të paguar nga Perëndimi, armiku imagjinar klasik i regjimit të tij.
Por kjo akuzë vetëm sa i hodhi zjarrit benzinë. Që nga ajo konferencë për shtyp, dhe shfaqja konfuze dhe e frikësuar e Vuçiçit, situata në vend është përshkallëzuar. Studentët kanë udhëhequr javë të tëra protestash mbarëkombëtare në Serbi, të nxitura këtë herë nga shembja e çatisë së një stacioni hekurudhor në qytetin e Novi Sadit në nëntor, ku humbën jetën 15 persona.
Tashmë protestës i janë bashkuar më shumë se 50 fakultete, ndërsa studentët po i mbështesin shumë profesorë, madje edhe dekanë të fakulteteve. Disa prej protestave dhe bllokadave u janë bashkuar edhe nxënës të shkollave të mesme.
Kjo e nxiti deputetin e partisë në pushtet, Vladimir Gjukanoviç, të deklaronte në një televizion se fëmijët janë në pronësinë e shtetit deri në moshën 18-vjeçare, gjë që shkaktoi një tronditje të madhe në opinionin publik. Përballë gjithë kësaj situate, regjimi duket se nuk di se çfarë të bëjë. Duket se nuk po funksionin asnjë nga truket e tij të zakonshme. Madje Aleksandar Vuçic u premtoi studentëve subvencione për të blerë shtëpi, por ata e hodhën poshtë këtë ofertë. Të rinjtë nuk duan apartamente, por transparencë. Kjo përfshin publikimin e të gjitha dokumenteve në lidhje me procesin e rindërtimit të stacionit hekurudhor të Novi Sadit.
Ata duan të dinë se kush është përgjegjës për vdekjen e 15 njerëzve të pafajshëm. Ndërsa qeveria ka publikuar disa dokumente, studentët të mbështetur nga ekspertët, dyshojnë nëse ato janë të plota dhe kërkojnë prova për këtë. Aktivistët e partive në pushtet i kanë sulmuar protestuesit, përfshirë studentët në Fakultetin e Arteve Dramatike.
Por studentët duan që fajtorët e ngjarjes së Novi Sadit të nxirren në gjyq dhe dënohen. Ata kërkojnë gjithashtu rrëzimin e akuzave ndaj të arrestuarve gjatë protestave. Për të gjitha këto qeveria reagoi, duke tentuar të ndryshojë kohën e pushimeve dimërore të shkollave dhe universiteteve, për të parandaluar grumbullimet e studentëve dhe nxënësve.
Por as kjo taktikë nuk funksionoi. Sepse mësuesit e shkollave u hodhën në grevë, ashtu siç bënë shoqatat e avokatëve dhe fermerët. Studentët thonë se nuk do të ndalen. Organizimi i tyre efikas i ka befasuar të gjithë, veçanërisht publikun e arsimuar liberal, që priret t’i kritikojë të rinjtë si të pa interesuar për asgjë tjetër përveç platformës TikTok.
Në dallim nga protestat e mëparshme, sot nuk ka asnjë organizator apo fytyrë të vetme të protestës. Shumë prej organizatorëve nuk duan të flasin me emër, duke theksuar se ideja kolektive është shumë më e rëndësishme sesa individë të veçantë.
Ata thonë se janë më të fortë, kur nuk mund të shënjestrohen individualisht nga media pro-qeveritare apo nga huliganët e partisë në pushtet. Por pavarësisht disiplinës mbresëlënëse në këtë lëvizje të re proteste, ajo nuk do ta rrëzojë dot e vetme qeverinë e korruptuar serbe.
Megjithatë, përfaqëson qartazi një shenjë se ka filluar të shkërmoqet makineria e partisë në pushtet. Qasja e përbashkët dhe nganjëherë e ashpër e ndjekur nga nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët mund të mos rrëzojë qeverinë, por mund të ndikojë shumë tek të moshuarit, prindërit apo gjyshërit e tyre.
Këtu në Serbi, ata janë makineria elektorale kryesore, dhe priren të jenë më të ndjeshëm ndaj propagandës së partisë në pushtet, e cila shpërndahet përmes kanaleve televizive dhe shtypit. Dhe nëse do t’u duhet të zgjedhin mes të rinjve të tyre të dashur dhe Vuçiçit, shpresohet se ata do të zgjedhin familjen e tyre./Përshtati Pamfleti nga “The New European”
Shënim: Saša Dragojlo, është një gazetar investigativ serb.
Lini një Përgjigje