TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Janar 2025, 10:27

Si grykësia politike e Ilir Metës varrosi atë vetë dhe partitë e tjera “të vogla”

Shkruar nga Gjergj Zefi

 

Si grykësia politike e Ilir Metës varrosi atë vetë dhe
Ilir Meta /

Ilir Meta, me fiksimin e tij për të qenë faktori i tretë, apo “kingmakeri” siç e llastonin gastorët e mbretërve, ndikoi personalisht në shkatërrimin e hapësirës politike për të gjitha partitë e tjera...

Shqipëria nuk e ka pasur këtë monopol të mërzitshëm dhe të dëmshëm PS-PD në këto 35 vite.

Përkundrazi kanë gjalluar një numër shumë i madh partish politike, të cilat keq apo mirë konkurronin në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në vend; parlamentare dhe lokale. Edhe pse një pjesë e mirë e këtyre partive ishin tallava, madje drejtoheshin nga personazhe butaforikë, gjithsesi, ata angazhonin njerëz dhe energji, që në një farë mënyre i jepnin një vlerë sadopak të shtuar garës politike.

Edhe pse thuhet se asgjësimi i pluralizmit politik erdhi nga pakti Rama-Berisha në 2008-n, ku u ndryshua sistemi politiko-elektoral, kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë.

Asgjësimi i sistemit të të ashtuquajturave parti të vogla ka ardhur vit pas viti nga lubia dhe grykësia e shumë personazheve egoistë dhe të korruptuar, natyrisht të nxitur nga krerët e PS-së dhe PD-së. Tek të parët; Fatos Nano në fillim e më pas edhe më shumë Edi Rama. Tek të dytët, gjithmonë i njëjti, doktor Sali Berisha!

Megjithatë, njeriu që i dha dërrmën këtij realiteti politik ka qenë Ilir Meta. I cili, si një axhami klasik në këtë fushë, i mbivlerësuar pa lidhje për zgjuarsinë e tij që s’e ka pasur kurrë, por mbi të gjitha prej grykësisë së tij, ra në grackën perfide e dinake që i ngritën Edi Rama dhe Sali Berisha.

Ilir Meta, me fiksimin e tij për të qenë faktori i tretë, apo “kingmakeri” siç e llastonin gastorët e mbretërve, ndikoi personalisht në shkatërrimin e hapësirës politike për të gjitha partitë e tjera.

Me shpresën se do të ngrihej vetë, por që në fund ra në një gropë të madhe e të thellë, ku nuk del më për gjithë jetën.

Shqipëria ka pasur parti pa fund që në vitin 1991, madje parti edhe avangardë siç ishte Partia Ekologjike e Namik Hotit në fillimin e viteve 90. Një personazh i paqtë dhe erudit që krijoi forcën e parë politike dhe që mjedisin e kishte thelbin e politikës së tij në Ballkan.

Ne kemi pasur një parti Agrare, e cila në një vend fshatar si i yni, mund të gjente terrenin e duhur, që u krijua nga dy specialistë bujqësie të talentuar dhe pasionantë, që bënë gabimin e jetës, duke ja dhënë partinë Lufter Xhuvelit, një arrivisti që më pas e ‘çoi për bojë’.

Megjithatë, Partia Agrare sot është në dorën e Agron Dukës, një biznesmeni e politikani të vjetër, por ende me një mendim të tijin, që ka mundësi ta mbajë gjallë e ta zhvillojë identitetin e saj.

Kemi pasur AD, të parën parti liberaldemokratike në Shqipëri, e cila ishte motorri i rrëzimit të Sali Berishës së Parë, me personazhe si Neritan Ceka, Gramoz Pashko, Perikli Teta, Preç Zogaj, por edhe Frrok Çupi, Ridvan Peshkopia, Arben Demeti, Arben Imami. Ky i fundit, në 2005-ën e varrosi atë parti me porosi të Sali Berishës, i cili i bleu shpirtin, dhe duke e korruptuar katërcipërisht.

Kemi pasur parti të vjetra si Balli Kombëtar e Legaliteti, të cilat Sali Berisha i ndau që të mos i faktorizojë, siç nga e majta kemi pasur PSD-në e Skënder Gjinushit, që në fund ja shiti partinë Tom Doshit për 2 apartamente dhe një post kryeakademiku. Ka pasur Paskal Milo partinë e tij, që e squlli duke u kthyer në një vasal të pakuptimtë të Ilir Metës. E kështu me radhë.

Nuk është aspak mister që të gjithë partitë e vogla nuk ishin organizma politik bio, pra që kishin 100% elektoratin e tyre. Ata vepronin duke marrë e përfituar nga të pakënaqurit e partive kryesore apo të tjerët. Proces krejt normal, pasi politikanët sidomos në territor nuk krijohen aq kollaj. Pasi njerëzve u duhet që të nxjerrin bukën e përditshme.

Këta politikanë të vegjël në qytete e fshatra, me rrethin e tyre që shërbente si “thesar politik” arrinin të zgjidheshin në këshillat komunalë, bashkiakë, apo edhe konkurronin për kryetarë. Duke i dhënë por edhe duke i marrë partive me të cilat, lidhnin kontratë.

Ilir Meta, e shkatërroi këtë skemë në vitin 2013, kur në ‘darkën e ngjalave’, siç i thonë, Edi Rama bëri çfarë tha kreu i LSI-së. Meta kërkoi që të asgjësohet PSD e Gjinushit, si dhe Aleanca Kuqezi e Kreshnik Spahiut, të cilat në atë kohë kishin kuota, relativisht jo të vogla në perceptimin publik. Detyrë që Edi Rama ja zbatoi deri në fund, pasi nga ana e tij, edhe ai ishte i interesuari i parë për sfumimin e çdo subjekti të vogël politik.

Rama, që arriti një koalicion hipokrit me disa parti të vogla, ku në krye ishte PDIU e Shpëtim Idrizit, u investua personalisht në misionin e shkatërrimit të të vegjëlve duke shpërndarë poste e afruar në PS, personazhe që ishin të shkathët për të marrë vota jashtë masës kompakte të votuesve të majtë.

Ne sot, shohim mjaft personazhe të këtyre partive që nga Halit Valteri, Florjan Pullazi, apo edhe Tom Doshi, Qifja dhe “çami i Dibrës”-Lala i Muhurrit që bëjnë më socialistë se Servet Pëllumbi, pasi janë ngjizur në mazhorancë. Siç edhe në PD-në e Berishës, shumë ish-ballistë, legalistë apo aleancistë janë betonuar pranë tij.

Por ky interes i partive të mëdha dihej, ata do ta mbronin veten dhe rrudhjen e tyre pikërisht duke gjetur elementë politik në territor e të likuidonin çdo konkurrent. Në një farë mënyrë është logjike që të mëdhenjtë të mbrojnë interesin e tyre.

Por Ilir Meta, duke mbetur vetëm dhe duke likuiduar kolegët si ai, nuk bëri gjë tjetër veçse u kthye në një ‘sheleg’ para dy ujqëve. Të cilët krejt normal do ta shqyenin, kur ata ta shihnin të arsyeshme.

Nëse Ilir Meta, do të kishte pak vizion, pikërisht atëherë kur ishte i fortë, do të duhej të fuqizonte dhe të bashkohej me të gjithë partitë e tjera në një “Front të Tretë”, të cilët qoftë aritmetikisht apo edhe politikisht mund të bëheshin faktor, të paktën për të ndalur mazhorancat absolute.

Ilir Metën, për ta bërë këtë, nuk e ndali vetëm mungesa e vizionit, por grykësia e lubia për të marrë gjithçka për vete, një tahma që e la pa gjë; në fillim politikisht e dalëngadalë edhe financiarisht. Por më e tmerrshmja, pa një njeri që ta ketë pranë në ditët e tij më të këqija.

Ndërkaq, ky operacon idiot i ka shkaktuar vendit një ngërç në operimin dhe ngritjen e çdo partie të vogël e mbi të gjitha të re, siç dhe po vërtetohet./Pamfleti

grykësia politike ilir meta partitë e vogla

Lini një Përgjigje