TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Janar 2025, 07:41

Sali Berisha shkon sot në SPAK, militantët 'rrethojnë' godinën

Shkruar nga Pamfleti
Sali Berisha shkon sot në SPAK, militantët 'rrethojnë'
Kreu i PD, Sali Berisha në SPAK

Ditën e sotme, 6 janar, në orën 10:00 të paradites, ish-kryeministri Sali Berisha duhet të paraqitet në SPAK para oficerit të Policisë Gjyqësore, Adelajda Meta.

Ish-kryeministri Berisha do të paraqitet ditën e sotme në SPAK, pas vendimit të Apelit të GJKKO që vendosi ndaj tij masën ‘detyrim paraqitje’.

Edhe pse pohoi me zë dhe figurë se do ta zbatojë vendimin që Apeli i Gjykatës së Posaçme mori më 3 janar 2025, me vepra, Sali Berisha dëshmon të kundërtën.

Ai deklaroi se kur Policia e Tiranës i shkoi po atë ditë (3 janar 2025) në banesë t’i komunikojë zyrtarisht vendimin në banesën e tij në rrugën "Mustafa Matohiti', por kreu i PD-së nuk pranoi të firmosë marrjen në dijeni, një procedurë kjo që e njeh të pandehurin me verdiktin e drejtësisë dhe e detyron të paraqitet në SPAK 2 herë në muaj, të hënën e parë dhe të tretë të muajit.

Madje jo vetëm kaq, pasi një mesazh është shpërndarë tek strukturat orët e fundit, duke i njoftuar se do të "mobilizoheshin të gjithë për protestë para SKAP-it, në mbrojtje të Sali Berishës". Në të theksohet se kreu i PD ka të drejtë dhe se "do mbronin të vërtetën", kurse SPAK-un e cilësojnë "vegël të Ramës".

Berisha ndodhet nën akuzë dhe i pandehur prej më shumë se një viti nga SPAK-u, për aferën në dosjen "Partizani".

Sipas vendimit të marrë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, Berisha duhet të paraqitet të hënën e 6 janarit në SPAK. Në një konferencë për mediat, Berisha, i pandehur për korrupsion për aferën Partzani, i qëndroi sërish linjës së sulmit të drejtësisë, duke thënë se masa e vendosur ndaj tij është politike

"Kanë kërkuar vendosjen e masave të sigurisë sepse Sali Berisha po sulmon SPAK-un dhe gjykatën, Irenën me 5 mbiemra e Dumanin me 4 shtëpi. Zbatuan urdhrin e Edi Ramës sepse janë tmerruar nga denoncimet e aferave të tyre, vjedhjeve që kanë bërë. Sidoqoftë, çështja është në Strasburg. Avokatët ia përcjellin Strasburgut edhe këtë vendim"  tha Berisha.

Seanca në Apelin e GJKKO

Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar në Apelin e GJKKO-së që ndaj Berishës të rivendosej masa e “arrestit shtëpiak”, pasi Gjykata e Posaçme vendosi në fund të nëntorit 2024 t’ia hiqte këtë masë, ndërsa prej disa javësh Berisha i është kthyer personalisht në veprimtaritë periodike partiake e parlamentare, si dhe në drejtim të protestave opozitare. Por Gjyqtari Engert Pëllumbi vendosi të shfuqizojë vendimin e gjyqtares Flojera Davidhi, dhe rivendosi masën e sigurisë 'detyrim me paraqitje'

Më herët, Berisha nuk e zbatoi në asnjë rast masën e parë detyrim paraqitje caktuar nga Irena Gjoka, e pritet të shihet, nëse ish-kryeministri do të shkojë apo jo para drejtësisë, tashmë që Kuvendi ka dhënë aprovimin e tij edhe për arrestimin.

Afera Partizani

SPAK ka ngritur akuzën e korrupsionit pasiv në bashkëpunim ndaj ish kryeministrit Berisha gjatë procedurave në privatizimin e ish klubit sportiv Partizani, gjatë të cilave dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e tokës, ku gjendej kompleksi sportiv, dhe ku tani janë ngritur 19 kulla. Sipas SPAK-ut, ish kryeministri Berisha ka shfrytëzuar postin zyrtar, teksa ka miratuar ligje dhe akte nënligjore të përshtatura me nevojat e ish pronarëve të truallit për të mundësuar privatizimin e kompleksit sportiv. Prokuroria e Posaçme dyshon se  Berisha ka ushtruar presion, përmes kontrolleve administrative, ndaj strukturave shtetërore, në mënyrë që këto të përshpejtonin procedurat e privatizimit, si dhe i ka vënë këto struktura në dispozicion të dhëndrit Malltezi për të arritur privatizimin. Krahas akuzës së korrupsionit në bashkëpunim për Berishën dhe Malltezin, SPAK-u ka ngritur akuza edhe për tre persona të tjerë korrupsion aktiv dhe për pastrim parash./ Pamfleti

berisha spak

Lini një Përgjigje