TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Janar 2025, 18:20

Berisha në SPAK, thirrja e Nokës: Të protestojmë kundër Dumanit, të mbështesim kreun e PD

Shkruar nga Pamfleti

Berisha në SPAK, thirrja e Nokës: Të protestojmë kundër

Ish-Kryeministri Sali Berisha, njëherazi kreu i PD-së, do të paraqitet mëngjesin e 6 janarit në SPAK, duke zbatuar në këtë mënyrë vendimin e Apelit të GJKKO-së që caktoi ndaj tij masën ‘detyrim paraqitje’ dy herë në muaj, ndonëse SPAK kërkoi rikthimin e “arrestit shtëpiak” për të.

E ndërsa Berisha ka pohuar paraqitjen në SPAK, strukturave të PD-së së Tiranës dhe deputetëve i është kërkuar që të protestojnë para selisë së Prokurorisë Speciale, që e konsiderojnë një vegël në duart e Edi Ramës.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, në një postim në rrjetet sociale, pasditen e së dielës, i bën thirrje demokratëve që të hënën, ora 09:30, të mblidhen para selisë së Prokurorisë Speciale, që ai e quan si SKAP.

Nesër, në orën 9:30, të gjithë së bashku përpara selisë së #SKAP, për të protestuar kundër akteve përndjekëse që kjo vegël në duart e Ramës, bën kundrejt kundërshtarëve politik të tij.

Do të jemi aty nesër në mbështetje të së drejtës, ligjit dhe së vërtetës, që janë në anën e liderit të opozitës, Prof. Dr. Sali Berishës.

E hënë, 6 janar, ora 9:30, përpara SKAP-it!”, shkruan Noka në rrjetin social.

Një ditë më parë një mesazh iu shpërnda drejtuesve të strukturave, deputetëve dhe anëtarëve të forumeve drejtuese të PD-së për të protestuar para SPAK.

Rikthimi i masës së sigurisë për Berishën vjen vetëm 5 javë pasi GJKKO e shkallës së Parë, i shuajti masën e sigurisë “arrest shtëpie”, vendim që u kundërshtua nga SPAK që e apeloi çështjen. Ndërkohë nesër GJKKO pritet të vendosë nëse do të pranojë ose jo dosjen e paraqitur nga SPAK lidhur me çështjen e njohur tashmë si ‘Partizani’ për të cilën është hetuar dhe janë ngritur akuza ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe 3 personave të tjerë.  Ndaj Berishës është ngritur akuza e korrupsionit pasiv.

 

Lini një Përgjigje