TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Tetor 2025, 07:27

Të lodhur dhe të përgjumur, Kuvendi shtyn seancën për të enjten; do të paraqitet raporti nga KLP

Shkruar nga Pamfleti

Të lodhur dhe të përgjumur, Kuvendi shtyn seancën për

Kuvendi do të vijojë diskutimet dhe do të njihet me raportet e institucioneve të drejtësisë në seancën e së enjtes.

Vendimi është marrë me konsensus në orët e para të së martës, teksa në Kuvendi kishin raportuar Prokurori i Përgjithshëm, kreu i SPAK dhe ai i KLGJ-së. Ky i fundit lexoi raportin vjetor, ndërkohë që seanca e pyetjeve dhe diskutimet do të vijojnë në seancën e së enjtes.

Në një sallë pothuajse të boshatisur, propozimi i hedhur nga opozita u pranua nga mazhoranca socialiste, pas një diskutimi disa minutësh. Opozita kërkoi që seanca të niste në orën 10:00 të ditës së sotme, por nga socialistët kjo u konsiderua e papranueshme, pasi sot do të zhvillohet mbledhja e Komisionit të Integrimit. 

Ishte deputetja demokrate Jozefina Topalli e cila i kërkoi kryeparlamentarit Niko Peleshi ndërprerjen e seancës për shkak se ora kishte kaluar mesnatën dhe nuk vijimi i seancave nuk ka interes për publikun.

Por, kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, shprehu kundërshti duke kërkuar që të vijohet me seancën.

“Kur u diskutua në Konferencën e Kryetarëve, opozita insistoi që debate të ishte 150 minuta, ndërkohë që ne propozuam 90 minuta. Sot jemi këtu ku jemi për shkak të asaj këmbënguljes në Konferencën e Kryetarëve”, tha Balla.

Ndërkohë Peleshi u shpreh se nëse nuk ka një vullnet politik për ndërprerjen e seancës, atëherë ajo duhet të vijojë.

Në emër të Grupit Parlamentar të PD-së, Belind Këlliçi, gjithashtu i kërkoi Ballës që të jepte dakordësinë për ndërprerjen e seancës.

“Kemi 12 orë, mendoj se duhet të ndërpritet seanca. Kjo nuk është çështje numrash, por duhet vullnet”, tha Këlliçi.

Pas një pushimi disa minutësh, palët janë dakordësuar që seanca të vijojë ditën e enjte, ku do të paraqitet raporti vjetor nga Kryetarja e Këshillit të Lartët ë Prokurorisë, si dhe do të zhvillohen diskutimet mbi raportet e dy institucioneve, KLGJ dhe KLP.

Gjatë seancës së të hënës paraqitën raportet Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela dhe kreu i SPAK, Altin Dumani.

Për më shumë se 3 orë, pozita dhe opozita u përfshinë në debate lidhur me mënyrën se si do të drejtoheshin pyetjet, pra nëse duhej t’I paraqiteshin me shkrim apo nëse duhej të lexoheshin nga vetë deputetët.

Lini një Përgjigje