
Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Partisë Demokratike Edvin Kulluri ka reaguar pas mbledhjes së zhvilluar në Shkodër mes kryeministrit Rama dhe kryebashkiakëve të vendit, përfshirë edhe ata të opozitës.
Kulluri ironizoi kryebashkiakët e dalë nga fushata e Rithemelimit të PD për zgjedhjet vendore, i cili tha se “mosbindja civile arriti sot suksesin me te madh” duke qenë “rresht për një te Rama në Shkodër”.
“Mosbindja civile arriti sot suksesin më të madh! Rresht për një te Rama në Shkodër! Natyrisht në 'emër të interesit të qytetarëve' të bashkive Foltoriste!
Gazi para, krye bashkiakët mbrapa! Kush po bën pazar me Ramën? Ai që gjen përgjigjen fiton një biletë te rreshti i parë poshtë ballkonit!”, shprehet Kulluri.
Kujtojmë se pas takimit me kryebashkiakët të PS-së, krerët e bashkive të opozitës deklaruan se morën pjesë në këtë takim si përfaqësues të qytetarëve ndërsa presin investime nga qeveria në zonat ku ata drejtojnë.
Kryetari i bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja dhe kryebashkiaku i Fushë Arrëzit Hil Curri u shprehën se kanë besim se qeveria, pavarësisht ndasive politike që kanë do të realizojë investimet e kërkuara, ndërsa u shprehën pozitiv dhe optimist në këtë bashkëpunim me qeverinë.
Të pranishëm nga kryebashkiakët e opozitës në takimin me kryeministrin ishin edhe kryebashkiaku i Pukës, Rrok Doda, ai i Memaliaj, Albert Malaj dhe i Hasit, Miftar Dauti.
Lini një Përgjigje