Britania memorandum për të forcuar sanksionet, ndërsa ambasada e SHBA me “dorë të hekurt” ndaj të korruptuarve...
Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara duket se nuk tërhiqen nga plani për të demaskuar të korruptuarit. SHBA ka shpallur “non grata” Sali Berishën, Adriatik Llallën, Tom Doshin dhe Vangjush Dakon, ndërsa Britania publikisht vetëm Berishën. Por, edhe britanikët njësoj si SHBA, kanë futur në listë të zezë edhe emra të tjerë, ku përfshihen ish-deputetë dhe disa mbështetës të flaktë të Berishës. Ndryshe nga SHBA, Britania nuk i bën publikë emrat.
Sinjalet janë se mund të forcohen masat ndaj të korruptuarve në vijim. Sanksionimi i Berishës u bë në kuadër të “Aktit të sanksioneve dhe pastrimit të parave”. Ai nisi zbatimin në vitin 2018 dhe në Parlamentin britanik ka shkuar një memorandum nga Ministri i Shtetit për Indo-Paqësorin, në të cilin bëhet një përmbledhje e situatës aktuale dhe jepen ide për të forcuar më shumë rregullat për vendosjen e sanksioneve, përfshirë ato të luftës, pastrimit të parave dhe korrupsionit. “Në vitet 2022 dhe 2023, kuadri i sanksioneve të Mbretërisë së Bashkuar u përball me një provë të rëndësishme, pasi është përdorur për të dhënë një pjesë kyçe të përgjigjes së politikës së jashtme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia. Prandaj, kjo është një kohë e përshtatshme për të rishikuar dhe vlerësuar zbatimin e SAMLA që nga miratimi i saj më 2018”, theksohet aty.
Pra, pjesë e paketës janë të gjitha sanksionet, përfshirë dhe ato ndaj të korruptuarve. Mos vallë me masat e reja do të shtohet numri i emrave në listë të zezë pas Berishës? Ambasadori britanik e ka thënë shpesh se ata nuk do ndalen, por do ishte e udhës që Britania të publikonte emrat, pasi për sa kohë janë anonimë, të korruptuarit nuk e vrasin shumë mendjen.
Por, teksa jemi te sanksionet, që pasi shpallën Berishën “non grata”, amerikanët kanë stopuar vijimin e së njëjtës gjë me zyrtarë të tjerë. Janë përfolur shumë emra, por nuk ka një shpallje publike nga DASH. Por “Pamfleti” mëson se një punë të admirueshme ka bërë ambasada e SHBA, e cila vijon me bllokime vizash.
Mësohet se një numri të madh zyrtarësh dhe politikanësh u janë refuzuar vizat për në SHBA. Atyre nuk u janë dhënë arsye, por sipas informacioneve, bëhet fjalë për emra që janë me dosje, janë nën hetim apo dhe të dyshuar si të përfshirë në korrupsion. Ka shumë politikanë që prej 3-4 vitesh nuk shkelin në SHBA. Thuajse të gjithë ata që janë me dosje në SPAK, e kanë të pamundur të marrin vizë, por jo vetëm. Ka dhe shumë të tjerë që janë përfolur si të përfshirë në afera që po ashtu janë penalizuar. Në total janë me qindra emra që u janë refuzuar vizat dhe ky është një sinjal se të huajt e dinë kush janë të korruptuarit, por tani janë duke pritur drejtësinë të veprojë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje