TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Dhjetor 2023, 11:18

SPAK kërkon arrestimin, Berisha refuzon të shkojë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve: Nuk mund të pranoja atë poshtërim

Shkruar nga Pamfleti
SPAK kërkon arrestimin, Berisha refuzon të shkojë në
Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të shkojë në mbledhjen e Këshillit të Mandatave, i cili do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e tij.

Berisha sulmoi drejtësinë dhe prokurorët duke i cilësuar si larot e Ramës, që kanë shkelur Kushtetutën.

Nga ana tjetër, Berisha ka organizuar sot një protestë para Kryesisë së Kuvendit.

“Larot e Ramës, paraqiten në komisionin e mandateve të parlamentit, pasi kanë kryer pucin kushtetues. I kanë marrë pushtetin parlamentit, me urdhër të Edi Ramës, kanë shkelur me dy këmbët kushtetutën. Sot paraqiten si gardë mbi parlamentin, kushtetutën, për të kërkuar jo vendosjen e masave, por për të kërkuar legjitimimin e vendimit të tyre antikushtetues, madje rëndimin e vendimit. Jo se ka ndryshuar asgjë, se në akuzë janë zero, por se unë kundërshtova këtë vendim si element të pucit, të shtetit brenda shtetit. Sot këta prokurorë paraqiten në parlament pasi kanë rishkruar në zyrat e tyre me urdhër politik kushtetutën e vendit. Paraqiten në parlament Pasi i kanë hequr parlamentit kompetencën kushtetuese për heqjen e lirisë së deputetit.

Iu adresuam GJK jo për Sali Berishën, por për të mbrojtur pushtetin e parlamentit. Imuniteti nuk është mbrojtje për deputetin, por për parlamentin dhe funksionimin e tij. Për ti treguar vendin atyre që mund të mendojnë të rrëmbejnë një pushtet që nuk e kanë. Edi Rama dhe larot e tij vrapuan drejt parlamentin për ti kërkuar zëvëndësimin e masave anti kushtetuese që kanë dhënë ndaj meje, me masa më të rënda arrest me burg ose arrest shtëpie, ky është një poshtërim i parlamentit, është shpallja e tij një zyrë legalizimi i veprimeve të paligjshme.

Nuk mund të ndodhesha kurrë në atë komisioni. Të pranoja atë poshtërim”, tha Berisha.

Sipas tij me regjimin e Ramës do të shfaroset kombi ynë. “Sot të dhënat e fundit tregojnë se numri i shqiptarëve në Shqipëri është jo më shumë se një milionë e gjysmë banorë. Në rast se vazhdojmë me Ramën ne do të firmosim symbyllurazi shfarosjen tonë”.

Berisha theksoi se parlamenti është kthyer në zyrë noterie për aktet e paligjshme.

Këshilli i Mandateve mblidhet ditën e sotme në orën 12:00 në Kryesinë e Kuvendit, për të diskutuar për kërkesën e SPAK për arrestimin e Sali Berishës për dosjen ‘Partizani’.

Ky këshill përbëhet nga 10 deputetë, me përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe pakicës parlamentare dhe drejtohet nga Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

sali berisha këshilli i mandateve

Lini një Përgjigje