Deputeti Tomor Alizoti ka kërkuar që situata e tensionuar në Kosovë të futet në rendin e ditës, duke theksuar se ngjarja po merr përmasa të mëdha.
Gjithashtu Alizoti u shpreh se nga momenti në moment kriza në Kosovë mund të agravojë dhe se Shqipëria duhet ta marrë seriozisht këtë çështje.
“Kriza e Kosovës po merr përmasa. Rëndësia sot edhe në media botërore është kriza në Kosovë e cila mund të agravojë. Shqipëria me përvojën e saj diplomatike duhet ta ketë rend dite. Ata janë vëllezërit tanë. Merreni seriozisht këtë gjë. Kriza atje po degradon. Kriza prodhon krizë”, tha ndër të tjera Alizoti.
Një situatë tensioni është shënuar sot në Kuvend. Deputeti Asllan Dogjani kërkoi të flasë për çështjen e Kosovës, por Nikolla nuk ia dha fjalën. Dogjani u nxeh dhe u ngrit në Foltoren e Kuvendit dhe i ra me grusht. Ai kërkon që Kuvendi i Shqipërisë të dalë me një qëndrim për situatën në Kosovë, ku tre policë janë rrëmbyer nga forcat serbe.
Lini një Përgjigje