TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë21 Korrik 2023, 15:34

Sinjali i parë nga SPAK, si lobimet në SHBA pritet të ngrenë siparin e telasheve të Metës me drejtësinë

Shkruar nga Pamfleti
Sinjali i parë nga SPAK, si lobimet në SHBA pritet të ngrenë
Ilir Meta në SPAK

Prej ditësh flitet se SPAK po i kopsit njëra pas tjetrës dosjet e Ilir Metës dhe duket se afera me lobimet do ngrejë siparin e telasheve për ish-presidentin...

Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar atë që prej ditësh flitet në korridoret e drejtësisë dhe politikës. SPAK dha sinjalin e qartë se pas Arben Ahmetajt është Ilir Meta i rrezikuari kryesor. “Pamfleti” ka disa ditë që e ka paralajmëruar një gjë të tillë dhe Meta dje doli nga strofulla ku ishte fshehur prej disa javësh.

SPAK sot mori në pyetje Petrit Vasilin, si person që ka dijeni mbi lobimet e LSI në SHBA. Vasili është ai i cili shkoi krah Metës në Uashington për të marrë pjesë në inaugurimin e Donald Trump. Por duket se paratë që u përdorën për atë foto nuk janë deklaruar.

Hetimet ndaj Metës nisën pas një padie të bërë nga ish-deputeti Halit Valteri. SPAK madje ju drejtua dhe me një letër-porosi Departamenti të Drejtësisë në SHBA duke kërkuar të dhëna mbi lobimet e LSI. Si duket të dhënat janë kopsitur dhe tani po bëhen “adetet” e fundit. Prej ditësh flitet se SPAK po i kopsit njëra pas tjetrës dosjet e Ilir Metës dhe duket se afera me lobimet do ngrejë siparin e telasheve për ish-presidentin.

Por për çfarë akuzohet realisht Meta?

Ilir Meta ka paguar rreth 700 mijë dollarë te kompania “McKeon Group” për lobime në SHBA por nuk i ka deklaruar. 90 mijë dollarë janë paguar nga avokati Iraklis Fidetzis, ndërsa 600 mijë të tjera sërish nga Fidetzis por përmes kompanisë “Dorelita Limited”, e regjistruar si offshore në Qipro.

Kontrata e parë e lobimit është nënshkruar nga Iraklis Fidetzis në emër të LSI-së dhe Ilir Metës. Kontrata  parashikonte sigurimin e një ftese për Ilir Metën si pjesëmarrës në inaugurimin e Donald Trump, organizimin e takimeve me ligjvënës dhe drejtues të tjerë të administratës amerikane në Uashington gjatë kësaj ceremonie dhe pas 20 janarit 2017, zhvillimi dhe promovimi i marrëdhënieve të mira me administratën e re të Donald Trump dhe Kongresin amerikan.

Në shkurt të 2017, pikërisht për ditën Shën Valentinit, McKeon Group, sipas dokumentacionit të dorëzuar te autoritetet amerikane njofton tërheqjen nga kontrata, që Fidetzis i jepte 15 mijë dollarë në muaj.

Pas kësaj tërheqjeje, “McKeon Group”, sipas dokumenteve të dorëzuara Departamentin e Drejtësisë ka nënshkruar një tjetër kontratë të dytë lobuese, këtë herë me kompaninë “Dorelita Limited”. Kontrata është nënshkruar më 24 mars të 2017-s. Sipas kontratës, grupi ngarkohej që të lobonte për 6 muaj për llogari të kompanisë “Dorelita Limited” dhe individëve të lidhur me të.

Po kush janë individët e lidhur me të? Kompania “Dorelita Limited” rezulton e regjistruar në Qipro, njohur si parajsë fiskale. Drejtori ekzekutiv i saj është Iraklis Fidetzis, avokati që përfaqësoi Ilir Metën në kontratën e parë të anuluar.

Kontrata e dytë kishte afat gjashtëmujor dhe kompania “Dorelita Limited” janë paguar 50 mijë dollarë në muaj, ndërsa ka një klauzolë që përfshin edhe një pagesë për muajin shkurt, megjithëse marrëveshja mes palëve është nënshkruar më 24 mars, ndërsa gjysmën e parë të shkurtit, në fuqi ka qenë kontrata e parë e nënshkruar mes McKeon dhe LSI-së e Ilir Metës.

Përveç kësaj, kompanisë Dorelita i ngarkohen edhe shpenzimet e tjera të kompanisë lobuese, si udhëtimet, hotelet, drekat e darkat që organizohen me qëllim zbatimin e kontratës së nënshkruar. Në total, bashkë me këto kosto, kompania Dorelita ka paguar rreth 600 mijë dollarë për McKeon Group.

Me t’u firmosur kontrata, McKeon Group ka nisur takimet e lobimit, zyrtarisht për Dorelitën, por jozyrtarisht ka dyshime të forta se lobimi është bërë për llogari të Ilir Metës. Nga 11 prilli deri më 28 prill, një ditë para se Ilir Meta të zgjidhej President,  “McKeon Group” deklaron se ka realizuar të paktën 28 kontakte në Senat e Kongres. /Pamfleti

meta spak dosje

Lini një Përgjigje