TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Prill 2026, 09:57

Siguria ushqimore, Rama: Duhet të rrisim kontrollin në terren, letrat nuk 'pijnë më ujë' për BE-në! 

Shkruar nga Pamfleti
Siguria ushqimore, Rama: Duhet të rrisim kontrollin në terren,
Edi Rama

Ai theksoi se procesi nuk kufizohet vetëm në harmonizimin e ligjeve me BE-në, por kërkon zbatim konkret në praktikë.

Kryeministri Edi Rama, gjatë podcastit të tij “Flasim”, foli për sigurinë ushqimore dhe procesin e përafrimit me standardet e Bashkimit Europian, duke e cilësuar atë si një nga sfidat kryesore të integrimit.

Rama tha se fokusi aktual lidhet me garantimin që produktet ushqimore në tregun shqiptar të jenë jo vetëm të sigurta për konsum, por edhe të pranueshme për tregun europian. 

Ai theksoi se procesi nuk kufizohet vetëm në harmonizimin e ligjeve me BE-në, por kërkon zbatim konkret në praktikë. Rama tha se ndërtimi i një sistemi funksional kontrolli dhe cilësie në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor mbetet thelbësor, duke shtuar se qeveria do të rrisë ndërveprimin me sipërmarrjet në bujqësi dhe industrinë ushqimore. 

Rikojtjmë se çështja e sigurisë ushqimore është nën radarët e BE-së dhe konsiderohet kusht kryesor për integrimin e vendit tonë.

Përparimi jo vetëm me ligje por edhe në terren, është porosia që la edhe ambasadori i BE Silvio Gonzato disa ditë më parë, gjatë një takimi ku ishte pjesëmarrës Rama dhe sipërmarësit e biznesit.

"Në fokus të kësaj jave ka qenë ajo që do të jetë në fokus të të gjitha javëve më pas, në një mënyrë a një tjetër, siguria ushqimore dhe përafrimi me standardet e Bashkimit Europian. Në një takim të organizuar me operatorët e sipërmarrjes ushqimore, ne u ndalëm në një temë shumë konkrete. Si do të garantojmë që çdo produkt që konsumojnë qytetarët, jo thjesht të jetë i sigurt, por të jetë një produkt i pranuar dhe i suksesshëm në tregun e nesërm të përbashkët të Europës, ku ne do të jemi anëtarë me të drejta, por edhe me detyrime të barabarta. Dhe kjo lidhet me një sfidë aktuale më të ndërlikuar të procesit tonë të anëtarësimit në Bashkimin Europian, që është sigurimi i të nesërmes për të gjithë ata, të cilët kanë ndërtuar të sotmen mbi themelet e një pike grumbullimi, përpunimi apo prodhimi të nënprodukteve ushqimore, që do të thotë që nga gjëja e gjallë deri te produktet e paketuara.

Një proces që shpesh keqkuptohet si një listë detyrash që duhen përmbushur për të tjerët, ndërkohë që në thelb është diçka që lidhet drejtpërdrejt, jo thjesht vetëm me shëndetin e shqiptarëve këtu në Shqipëri, e konsumatorëve këtu në Shqipëri, por edhe me misionin tonë të përbashkët kombëtar të Shqipërisë në Bashkimin Europian në vitin 2030. Nuk është një çështje rregullash në letër, është një çështje e ndërtimit bashkërisht të një sistemi funksional prodhimi, kontrolli, cilësie dhe besimi në çdo hallkë. Në këtë fazë, Shqipëria nuk bën vetëm harmonizimin ligjor me Bashkimin Europian, por edhe duhet të sigurojë zbatimin konkret të ligjeve në realitetin e përditshëm. E prandaj, ne po ndërveprojmë dhe do të ndërveprojmë gjithmonë e më aktivisht me sipërmarrësit dhe sipërmarrjet në bujqësi, sipërmarrësit dhe sipërmarrjet që kanë të bëjnë me produktet shtazore dhe nënproduktet e tyre, sipërmarrësit dhe sipërmarrëset që kanë të bëjnë me gjithçka që sot del nga toka e Shqipërisë, falë punës dhe duarve të tyre të arta", u shpreh Rama. 

Ndër të tjera, Rama foli edhe për “Paketën e Maleve”, një program që sipas tij synon të nxisë investimet në zonat malore dhe të kthejë pronat e trashëguara në burim të ardhurash. 

Rama deklaroi se paketa synon të krijojë një model të ri zhvillimi rural, duke lidhur tokën dhe shtëpitë e vjetra me sipërmarrjen në turizëm dhe agropërpunim. Sipas tij, procesi është thjeshtuar dhe lejon nisjen e investimeve edhe pa përfunduar procedurat e pronësisë, ndërsa parashikon lehtësira fiskale për investitorët e parë.

Ai shtoi se përmes këtij programi synohet jo vetëm rritja e të ardhurave për familjet në zonat malore, por edhe adresimi i çështjeve të pronësisë të trashëguara ndër vite, duke i lidhur ato me zhvillimin ekonomik.

"Shënimi tjetër lidhet jo me një ngjarje, por me një program, një program kombëtar i cili ka filluar tanimë të formësohet përmes një numri mbresëlënës interesimesh dhe aplikimesh, në radhë të parë nga vëllezërit dhe motrat tona jashtë Shqipërisë, që falë këtij programi po e kthejnë kokën nga Shqipëria, jo thjesht për t’u interesuar siç kanë bërë gjithmonë për ecurinë e punëve apo për ecurinë e jetës në familjet e tyre, por për të investuar kursimet e tyre.

Paketa e maleve! Paketa e maleve po hap një rrugë të re në zhvillimin rural dhe po krijon premisat për një vlerë të shtuar, për një motor të ri në industrinë e turizmit tonë, duke i dhënë maleve, duke i dhënë Shqipërisë malore një përmasë të re, përmes kthimit të tokës dhe të shtëpive të gjyshërve në instrumente të zhvillimit dhe në mundësi të reja reale për të krijuar sipërmarrje dhe për të krijuar të ardhura, pa diskutim, më të larta sesa ato që mund të krijohen duke punuar për të tjerët jashtë vendit.

Procesi është bërë i thjeshtë, është bërë i aksesueshëm. Investimi mund të nisë pa titullin përfundimtar të pronësisë. Për këtë është krijuar paketa e maleve, për të adresuar edhe një problematikë të mbartur nga vitet në territore të mrekullueshme ku pronarët legjitimë nuk gëzojnë titujt e pronësisë sepse nuk e kanë pranuar ligjin 7501 dhe ndërkohë nuk kanë konflikte mes tyre.

Dhe përmes investimit ata do të mund të sigurohen se në fund të procesit, ku do të kenë edhe lehtësira domethënëse fiskale, për shembull, 500 të parët që do të marrin lejen për të filluar punën do të përjashtohen për 10 vjet nga taksat, ata do të kenë edhe titullin e pronësisë. Kështu që, për të gjithë ata që më dëgjojnë dhe që janë të interesuar apo janë të dyzuar apo janë dyshues, provoni paketën e maleve. Provoni paketën e maleve! Provoni paketën e maleve dhe është pak, por e sigurt që në rast se do të hapni derën e shtëpisë së vjetër të gjyshit dhe do të rindizni oxhakun në atë shtëpi apo do të krijoni një fermë të vogël, një pikë agropërpunimi diku në një tokë që është larg territoreve të qyteteve, koha do të më japë të drejtë, do të na japë të drejtë dhe ju do të jeni të lumtur me atë hap që hidhni sot. Sepse investimi do t’ju kthehet në mbarësi dhe në mirësi për familjet tuaja, por në të njëjtën kohë do të jetë edhe një kontribut për Shqipërinë", u shpreh Rama.

siguria ushqimore integrimi ne be edi rama

4 Komente

  1. A
    Agro

    Mjafton fakti që flisni per sigurine ushqimore dhe standartet e njëkohësisht brenda lajmit reklamoni “Lufra” !!! Është e qartë gjithçka !!!

    1. 5
      5D

      Pasi e mbushet AKU-ne me gjobaxhinj e patronazhiste, me ne fund e "kuptuat" se letrat nuk pijne ujë!

      1. a
        agronomi

        Normalisht, ne Shqiperi problemet quhen te zgjidhura vetem duke bere propogande ne televizione dhe hartuar ca letra. E dine, qe ne parktike askush nuk i zbaton rregullat dhe standartet , por bejne sikur nuk i dine, pasi ata kreret qe bejne pislleqet kur blejne mallra e produkte ushqimore jashte jane lidhje , miq apo patronazhiste te tyre!!!!!!! Po keshtu edhe me prodhimet e vendit...Njehere qe Blendi Fevziu evidentii ca rezultate pesticidesh ne fruta zarzavarpte, ju turren dhe i cilesuan paisjet qe ai perdori, lojra kineze...E mban mend dhe ai Erjoni qe rani pretendon se do konkuroje per kryebashkiak,...

        1. B
          Baloku

          Nashi e mori vesh babloku se ligjet duhen zbatuar dhe jo vetem ti prekthesh e ti ckruaq ne leter, cfar mortje

          Lini një Përgjigje