Issenberg kujton momentin kur pak para zgjedhjeve paraprake të vitit 2016 në Karolinën e Jugut, Trump sulmoi hapur Papën. Nëse dikur do të kisha pyetur ndonjë politikan, të çfarëdolloj feje apo origjine, nëse ishte një ide e mirë të sulmosh Papën, ata do të përgjigjeshin: Padyshim që jo!
“Dezinformimi është vetëm një pjesë e asimetrisë që është krijuar që nga shfaqja e komunikimit dixhital. Sot ka ndryshuar mënyra se si zhvillohen fushatat elektorale, dhe për këtë është pjesërisht përgjegjës edhe Donald Trump”- thotë Sasha Issenberg, që sapo ka botuar librin e ri “Gënjeshtra dhe detektorë:Në kërkim të një manuali lojërash për të fituar zgjedhjet në epokën e dezinformimit”.
Gazetar por edhe profesor i shkencave politike në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos, Issenberg shpjegoi në një libër të tij të vitit 2012, se si të dhënat dhe analitika e kishin ndryshuar mënyrën se si zhvillohet një fushatë elektorale. Në librin e tij, ai sqaron sesi organizatat dhe individët po përpiqen të gjejnë zgjidhje për të menaxhuar dezinformimin dhe rënien e besimit në media brenda fushatave elektorale.
“Dikur individët dhe institucionet duhej të silleshin brenda një lloji të caktuar normash, kufizimesh dhe standardesh. Konflikti ndodhte brenda një kufiri të përcaktuar qartë. Ndërsa në dekadën e fundit, kushdo që punon për një kandidat apo për një parti, mund të gjendet në situatën ku kundërshtari po vepron jashtë këtyre rregullave”- thekson ai.
Në skenë kanë dalë aktorë të rinj, siç është shërbimi i një vendi të huaj që vepron në mënyrë të papërgjegjshme në lidhje me sistemin amerikan, dhe këtë e pamë me ndërhyrjen ruse në presidencialet e vitit 2016. Zgjedhja e Donald Trump president është një shembull tipik. “Nuk i referohem vetëm agjentëve sekretë të Shën Petersburgut. Por për shumë turma online njerëzish anonimë, që të organizuar jashtë lëvizjeve tradicionale, janë shndërruar në një forcë me rëndësi në diskursin politik. Ata janë shndërruar në një risi të vërtetë në komunikimin politik në SHBA.
Në çdo nivel politik, kandidati për Shtëpinë e Bardhë apo kandidati për një këshill bashkiak duhet të marrë parasysh persona anonimë që fshihen pas fotos së një profili në një rrjet social, dhe që do të thonë marrëzira për të krijuar kaos apo për të fituar para”- shprehet ai.
Issenberg shpjegon se si deri vonë mendësia tradicionale në fushata ishte:ne shpenzonim shumë për kërkime, sondazhe apo grupime të caktuara. Zgjidhet me shumë kujdes fjalët që duhet të përforcoheshin, mesazhet që shpërndaheshin dita-ditës ishin vendosur prej kohësh, në TV ose përmes vullnetarëve derë më derë.
Cilido që menaxhonte fushatën kishte gjithmonë kontroll të madh mbi mesazhin, i cili ishte i kristalizuar dhe i koordinuar. Pastaj Trump braktisi gjithçka. Edhe sepse ai postonte në Tëitter gjithçka që i kalonte në kokë, dhe në çdo kohë të ditës apo natës.
Ai u tha mbështetësve të tij:mund të postoni çfarë të doni. Duket një budallallëk, por lëvizja më e pazakontë e tij ishte ri-postimi i deklaratave të mbështetësve të tij. Ai është krejtësisht kundër idesë së kontrollit që ka pasur një fushatë zgjedhore. Trump përforcon 6 apo 7 mesazhe në ditë, të cilat edhe mund të bien ndesh me atë të fushatës së tij.
Por ai mendon kështu:Për të mos shpërndaj diçka dikush që dikush thotë për mua apo diçka negative mbi kundërshtarët? Krahasuar me atë të 8 viteve më parë, fushata e Trump e këtij viti është më pak kaotike. “Ajo është më e disiplinuar. Fushata e 2016-ës, dukej se kishte instinkte më të mira, të cilat shpeshherë ishte taktikisht inteligjente edhe kur nuk kishte një strategji të qartë” thekson ai.
Gjithçka duket se bazohet në “Gënjeshtrën e Madhe”, pra tek narrativa se Joe Biden i vodhi zgjedhjet e fundit presidenciale. “Politikanët e kanë shtrembëruar gjithmonë të vërtetën, por niveli i gënjeshtrave që shohim sot është i padëgjuar. Trump dërgoi një sinjal:Mua nuk më interesojnë pasojat tradicionale të sistemit. Por sipas llogaritjes së tij kjo nuk e dëmtoi atë”- thekson më tej politologu. Dhe është fakt që modeli Trump e ka infektuar të gjithë sistemin, të paktën në të djathtë.
“Dhjetë vjet më parë Ted Cruz nuk do të kishte dashur të quhej gënjeshtar nga Houston Chronicle, gazeta e qytetit të tij. Por është e vështirë të tërheqësh vëmendjen brenda partisë nëse nuk i kundërshton këto institucione dhe media. Këto stimuj të brendshëm nxitin shumë republikanë që të thonë ose të bëjnë gjëra të caktuara për t’i bërë përshtypje establishmentit Trumpian”- mendon Issenberg.
Edhe pse, siç u pa në zgjedhjet e fundit të mesit të mandatit, kandidatët më ekstremistë humbën përballë demokratëve. Por ata vazhdojnë të fitojnë zgjedhjet primare brenda partisë, dhe kësisoj të mbijetojnë në skenën politike.
Issenberg kujton momentin kur pak para zgjedhjeve paraprake të vitit 2016 në Karolinën e Jugut, Trump sulmoi hapur Papën. Nëse dikur do të kisha pyetur ndonjë politikan, të çfarëdolloj feje apo origjine, nëse ishte një ide e mirë të sulmosh Papën, ata do të përgjigjeshin: Padyshim që jo.
Sepse kështu do të kishin më shumë gjasa të humbnin sesa të fitonin. E përse të sulmohet një udhëheqës fetar që është në përgjithësi një figurë e respektuar? Dhe kjo mund të jetë edhe trashëgimia kryesore e Trump në sistemin politik. Ai na tregoi se mund t’ia hidhni paq, pavarësisht gjithçkaje të bëni.
Trump duket i qetë me kontradiktat që bart. Sot senatorët përdorin fyerje që nuk do t’i kishin artikuluar kurrë më parë. Trump i ka thyer kufijtë, dhe nuk unë mendoj se ne mund të kthehemi shpejt pas, as kur ai të largohet nga skena politike. Sepse sjelljet që dikur konsideroheshin si tejet të tepruara sot po shpërblehen nga votuesit.
Sipas Issenberg, as burgimi apo vdekja e Trump nuk do ta shkatërrojë dot Trumpizmin. “Me siguri që nga burgu ai do ta gjente një mënyrë për të kontrolluar lajmet çdo ditë. Nëse do të vdiste, për një periudhë të caktuar kohe, fantazma e Trump do të vazhdonte të trembte një pjesë të mirë të Partisë Republikane”- thekson ai.
Sipas gazetarit, sot brenda Partisë Republikane njerëzit kanë më shumë frikë nga Trump dhe elektorati i tij se sa nga grupet e interesit dhe lobistët, të cilët më parë kishin njëfarë kontrolli në parti por edhe në Uashington në përgjithësi. Por këto sjellje nuk u shpikën që të gjitha nga Trump.
“Një përbuzje e caktuar për institucionet që përpiqen të veprojnë si arbitra të së vërtetës, apo të shkencës, një delegjitimim i botës akademike, po ndodhte tashmë në një kulturë të caktuar në mesin e republikanëve dhe kjo praktikë është shumë e vështirë për t’u çrrënjosur”- nënvizon më tej ai.
Por sot ajo është një sjellje e zakonshme. “Trump na ka karikuar në maksimum. Ai është bërë një element qendror për identitetin e partisë. Sidomos kundër medias. Nga këndvështrimi konspirativ, nëse këto institucione thonë se diçka nuk është e vërtetë, fakti i të folurit bëhet provë e vetë teorisë së konspiracionit.
Këtë gjë e pamë gjatë pandemisë së Covid-19. Fakti që Bill Gates promovon vaksinën, bëhet një provë e mëtejshme se asaj nuk mund t’i besohet. Dikur gazetat dhe televizionet ishin përbashkueset e jetës amerikane, njëlloj si dyqanet e mëdha. Por gradualisht gazetat dhe televizionet u delegjitimuan nga një parti.
Sigurisht, ato kanë problemet e tyre të brendshme. Miliarderët që kanë blerë revista dhe gazeta vitet e fundit, po e kuptojnë se po humbasin shumë para. Për një pjesë të Amerikës, mediat sociale janë burimi kryesor i informacionit.
Dhe aty përmbajtja nuk është e rregulluar, ose në çdo rast nuk mjafton për të shmangur përhapjen e teorive konspirative. Issenberg shpjegon se deri 7 vjet më parë këto platforma u përpoqën të ishin të vëmendshme ndaj rreziqeve të dezinformimit, si ndaj publikut ashtu edhe ndaj qeverisë.
Por ndryshimi nisi pas blerjes së Tëitter nga Elon Musk (sot X), dhe ka çuar në një tërheqje të përgjithshme nga premtimet e viteve të mëparshme. “Më parë Tëitter cilësohej si një nga shembujt pozitivë. Tani Musk është kundër idesë së moderimit aktiv. Thelbi i X është liria e fjalës.
Mendoj se kjo e ka pakësuar disi presionin ndaj Google dhe Facebook. Ata nuk kanë pse të kontrollojnë në mënyrë agresive platformat e tyre. Musk ka ndihmuar në nxitjen e teorive konspirative dhe idenë e së djathtës, sipas së cilës demokratët dhe qeveria duan t’i mbyllin gojën konservatorëve.
Dhe kjo tezë është tani pjesë e identitetit republikan. Çështja tjetër kryesore që ka të bëjë edhe me keqinformimin dhe moderimin social është Inteligjenca Artificiale. Tashmë ka pasur raste kur ajo është përdorur për qëllime elektorale, siç ishte telefonata me zërin e rremë të Joe Biden. Por Issenberg thotë se AI nuk ndryshon natyrën e problemit.
Pasi disa nga gënjeshtrat më efektive që kemi parë, bazohen në tekste të shkruara. Gjithsesi, dikur ishte më e lodhshme dhe e kushtueshme përhapja e gënjeshtrave. Sepse duhej një shtypshkronjë apo një stacion televiziv. Sot nuk ka pengesa. Kostoja e krijimit të gënjeshtrave është zero.
Dhe për të mashtruar njerëzit nuk nevojë për mjete të teknologjisë së lartë. Thënë këtë, bota e falsifikimit të audios ose videove, do të jetë një fushë e re, të cilën duhet ta menaxhojnë shtabet e fushatave zgjedhore dhe do të kontribuojë në konfuzionin rreth asaj që është e besueshme dhe çfarë jo. Por ne mund të jemi optimistë, duke menduar se ka mjete të Inteligjencës Artificiale që mund të na ndihmojnë të zbulojmë dhe gjurmojmë dezinformatat në internet./Përshtati Pamfleti nga “Il Foglio”
Marrë me shkurtime
Lini një Përgjigje