
Seanca e djeshme zbuloi dështimin juridik të mazhorancës në përpjekjen për të justifikuar shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës. Engjëll Agaçi dhe juristët e Ramës pranuan gabimin fatal që mund të rrëzojë gjithë operacionin politik kundër Veliajt.
Në Gjykatën Kushtetuese, përballja e Edi Ramës me Erion Veliajn nuk ishte më çështje pushteti vendor, por test i autokracisë politike. Me argumentet e juristëve të kryeministrisë që u kthyen në bumerang, Rama humbi betejën e parë të një lufte që ai vetë e shpalli, ndërsa Veliaj fitoi momentin e tij më të fortë publik kundër shefit që e ndëshkoi për ambicie të brendshme pushteti.
Qeveria dhe mazhoranca pësuan dje një fiasko të plotë në seancën e Gjykatës Kushtetuese, ku po shqyrtohet ankesa e Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Juristët e kabinetit të Engjëll Agaçit, në vend që ta mbronin vendimin e Ramës, e fundosën atë duke rrëfyer para gjyqtarëve një version që shkatërron gjithë bazën ligjore të shkarkimit.
Sipas argumenteve të tyre, Veliaj është larguar pas 90 ditësh mungesë nga detyra; një interpretim që, në thelb, nuk përbën shkarkim politik, por largim administrativ. Nëse ky kriter do të zbatohej me korrektësi, Veliaj duhej të ishte shkarkuar më së voni në maj, dhe jo në shtator, siç vendosi Edi Rama. Pra, vendimi është marrë jashtë çdo afati ligjor, thjesht për t’u përdorur si mjet politik në momentin që i leverdiste kryeministrit.
Pse ndodhi kjo? Përgjigjja është e qartë: Edi Rama nuk donte një zgjidhje ligjore, por një operacion politik të kontrollit të Bashkisë së Tiranës.
Në muajt para shkarkimit, Rama kishte nisur spastrimin e administratës bashkiake, duke larguar drejtorët, administratorët dhe zyrtarët që i përkisnin “rrethit të Veliajt”. Në vend të tyre, ai vendosi njerëzit e tij personalë, për ta kthyer bashkinë në një instrument të pushtetit qendror.
Ky aksion, i veshur me petkun e ligjit, ishte në të vërtetë një goditje e pastër politike, që u qep trashë, pa mbështetje ligjore dhe me pasoja që sot po dalin hapur në Gjykatën Kushtetuese.
Në sallë, Veliaj arriti të shndërrojë mbrojtjen në sulm. Ai e paraqiti veten si figurë politike të ndëshkuar nga kryeministri, jo për dështime administrative, por për ambicie dhe pavarësi të tepruar.
Në fjalën e tij, ai nuk mbrojti thjesht postin, por sfidoi shefin e tij politik, duke treguar se shkarkimi nuk është akt ligjor, por akt hakmarrjeje.
Në një moment të rrallë në politikën shqiptare, një zyrtar i socialistëve e ekspozoi publikisht kontrollin autokratik të Ramës, dhe e bëri këtë përmes gjykatës, jo përmes mediave apo partisë.
Në të vërtetë, seanca e sotme shënon fundin e alibisë ligjore për operacionin e Ramës kundër Veliajt.
As juristët e tij nuk mundën ta mbrojnë më skemën e ndërtuar për “spastrimin e radhëve”. Rama i përdori, dhe ata i dorëzuan një humbje.
Në gjuhë politike, kjo quhet “përmbysje narrative”: për herë të parë që nga nisja e luftës së brendshme në PS, Veliaj doli më i fortë në publik se Edi Rama.
Por kjo nuk do të thotë se beteja ka mbaruar. Për Veliajn, kjo është vetëm fitorja e parë simbolike, një mundësi për ta rivendosur veten në skenën politike, dhe ndoshta për të ndërtuar aleanca të reja jashtë kontrollit të Ramës.
Për kryeministrin, kjo është sinjali më i qartë i konsumimit të pushtetit: kur edhe njerëzit e tu më besnikë arrijnë të të mundin me armët e ligjit, atëherë autokracia ka nisur të shembet nga brenda.
Gjykata Kushtetuese nuk vendosi ende për fatin e Veliajt, por vendosi për diçka më të madhe; për kufijtë e pushtetit të Edi Ramës.
Dhe ky, në thelb, është dënimi më i rëndë politik që mund t’i jepet një kryeministri që ka harruar se ligji nuk është mjet për të sunduar, por kufi që mbron nga abuzimi./Pamfleti
Sa i komplikuar ligji per ligjeberesit...me mungu nje specialist per 3 dite te pushojnë direkt...
Nuk ka fituar Veliaj asgje. U kap me vjedhje qindra mijra euro te pajustifikuara. 15 vjet burg per te. Kot Jo po ashtu jo po keshtu. Do denohet per korrupsion
Ca te thoshin te shkretet?! Ishin para faktit te kryer dhe e kane per detyre ta “justifikojne”. Nuk eshte faji j tyre po e faktit te kryer