
Ish kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur se akuzat dhe gjuha e urrejtjes nuk janë një alternativë politike.
Në një postim në rrjete sociale, Basha shkruan se koha e reflektimit i ka shërbyer për të parë më qartë se si sistemi politik ka degraduar politikën një shfaqje që ka në qendër hallet e politikanëve dhe jo problemet e qytetarëve.
Sipas Bashës më shumë se 70% të qytetarëve e kanë refuzuar këtë sistem politik, që nuk ofron asnjë zgjidhje për shqetësimet e përditshme të shqiptarëve. Më tej, ish lideri demokrat është shprehur se PD mund të sjellë ndryshim duke bashkëpunuar ngushtë me qytëtarët dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Mirënjohje për punën dhe sakrificat e demokratëve të Degës nr.6 në Tiranë. E pranova me kënaqësi ftesën e tyre për një bashkëbisedim të hapur mbi shqetësimet që të gjithë ne si qytetarë dhe demokratë bashkëndajmë sot.
Kjo kohë reflektimi më shërbeu të shihja edhe më qartë sesi ky sistem politik ka degraduar në një shfaqje që ka në qendër hallet e pak politikanëve, jo problemet e qytetarëve. Sherret, akuzat, gjuha e urrejtjes nuk mund të jenë përgjigjja për sfidat e mëdha që ka vendi. Më shumë se 70% të qytetarëve e kanë refuzuar këtë sistem politik, që nuk ofron asnjë zgjidhje për shqetësimet e përditshme të shqiptarëve. Kjo shumicë e heshtur kërkon një ndryshim rrënjësor në punët e vendit, një alternativë që pasqyron aspiratat e njerëzve, i dëgjon dhe fuqizon ata. Partia Demokratike mund të sjellë këtë ndryshim, në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.”, shkruan Basha.
Lini një Përgjigje