
Thirrjet për drejtësi po shtohen me orë përpara Kryeministrisë. Një nga protestuesit ka marrë mikrofonin për të kërkuar nga SPAK-u që të përshpejtojë hetimet ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e krahasuar dështimin shqiptar me llogaridhënien ndërkombëtare.
"Nga ky shesh përsëri i bëjmë thirrje SPAK-ut: hetoni Ramën!" - përfundoi ai mes duartrokitjeve dhe brohoritjeve të turmës, duke e bërë të qartë se protestuesit nuk do të ndalen derisa të shohin veprime konkrete nga drejtësia shqiptare.
Në fjalën e tij, protestuesi bëri një krahasim të mprehtë me reagimin e autoriteteve ndërkombëtare, duke nxjerrë në pah dy standardet e drejtësisë.
"Autoritetet shqiptare të nxitojnë me hetimin. Është thirrur ministri i Financave të Holandës, por akoma nuk është thirrur Rama," - u shpreh ai, duke theksuar se ndërsa zyrtarë të lartë europianë po përballen me llogaridhënien për kompanitë e lidhura me Zvërnecin, në Shqipëri kreu i qeverisë vazhdon të mbetet i paprekur nga hetimet.
Kërkesa e tij ishte e qartë dhe e prerë: organi i akuzës nuk mund të veprojë më me dy pesha dhe dy masa. Protestuesit në shesh kërkuan që Rama të thirret për të dhënë llogari njësoj si homologët e tij në Europë.
Ndërsa ora shkon dhe protesta vijon, kërkesa për drejtësi po bëhet gjithnjë e më e zëshme. "Hetoni Ramën!" - është thirrja që po përshkon sheshin, duke u bërë jehonë e një populli që nuk pranon më të presë për drejtësi.
Lini një Përgjigje