TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Gusht 2023, 11:28

Shtatori i ‘grupeve të zjarrit’ në partinë Socialiste që po rrethojnë Edi Ramën

Shkruar nga Pamfleti
Shtatori i ‘grupeve të zjarrit’ në partinë Socialiste
Edi Rama

Një material sekret qarkullon në mjediset diplomatike të Tiranës, ku thuhet se FBI dhe DEA kanë informacion për një trazirë që po përgatitet në shtator...

Lëvizjet pa top të Edi Rama qoftë në qeveri, ashtu edhe në parti, duket se nuk kanë vendosur asnjë ekuilibër dhe nuk e kanë qetësuar aspak valën e kazanit të madh socialist që është gati të shpërthejë nga presioni.

Në grupin parlamentar të PS-së, janë bërë gati dy grupe, edhe pse s’kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin, që do të vënë në diskutim vazhdimin e punës së kësaj qeverie.

Zërat flasin që me nisjen e sezonit të ri në shtator, do të fillojë edhe kryengritja e madhe brenda mazhorancës, nëse Edi Rama nuk i përgjigjet pozitivisht kërkesave të dy grupimeve që janë gati të ndahen përfundimisht nga ‘kolibja’ e Bablokut.

Grupi i parë janë deputetët e vjetër të PS-së që udhëhiqen nga Fatmir Xhafa, i cili mësohet se drejton jo pak por një numër dy shifror prej 11-12 parlamentarësh, të cilët rrezikojnë që të mos kandidohen në zgjedhjet e vitit 2025.

Janë pikërisht ata që nuk kanë marrë asnjë bonus politik nga qeveria, edhe pse kanë dhënë kontributin e tyre në fushatat elektorale. Duket qartë se ajo që pritej tashmë ka filluar, madje edhe me zë të lartë.

Ilir Zela, ish-ministër në kohën e Fatos Nanos, të cilin Edi Rama e vuri në krye të AKEP, e pas dy viteve e largoi për ta zëvendësuar me këshilltarin e tij, ka kohë që sulmon egërsisht qeverinë e partisë së tij.

Në një postim të fundit në rrjetet sociale, ish-zyrtari i lartë i PS-së shkruan: “Inceneratoret nuk janë vepra publike, nuk janë zgjidhje të emergjencës mjedisore, nuk jane partneritet public- privat, nuk janë burime energjie. Inceneratoret janë produkte të veprimtarisë kriminale! Janë shfaqja më e turpshme e zaptimit të Shqipërisë nga monopolet, papërgjegjshmëria dhe abuzimi me pushtetin. Jane ilustrimi i rezultatit te pushtetit pa llogaridhënie. Janë kulmi i çatisë se zhvatjes sistematike të shqiptarëve! Inceneratorët janë fundi i populizmit më të shëmtuar politik i cili iu imponon prej vitesh shqiptarëve përversitetin si modernitet! Inceneratorët janë klithma e një populli të zhvatur, i cili kërkon drejtësi!”

Por Zela, është vetëm një shishe letre e dalë në breg, pasi të tilla priten të vijnë me shumicë ditët e fundit.

Fatmir Xhafa, Pandeli Majko, Erion Braçe, por edhe deputetë të rinj si Lavdrim Krashi, të cilët e dinë se Ramës nuk i pëlqen t’i rikandidojë në 2025, e kanë ndarë mendjen për të shpërthyer në Parlament.

Mësohet se deputetët rebelë kanë vendosur që të dalin hapur, duke bindur të pavendosurit: “po nuk e ndaluam tani, ai bëhet si Erdogan, dhe nuk e ndalon kush më”. Grupi pritet që të bëjë aleancë me të gjithë deputetët opozitarë, por edhe ata të mazhorancës që nuk i përkasin mendimit të tyre. Ideja është që të përgatitet një qeveri kujdestare teknike e drejtuar nga një figurë politike e PS-së, deri në zgjedhjet e reja.

Përveç grupit të “senatorëve”, të pakënaqur e të gatshëm për të nisur revoltën janë edhe deputetët e Tom Doshit dhe Aqif Rakipit, të cilët ndjejnë frymën e SPAK afër vetes. Nga ana tjetër disa drejtori që Doshi e Qifja kanë pasur në Elbasan e Shkodër, ju janë hequr, duke i ulur fitimet dhe financimin e “ushtrive politike”.

Yryshi i SPAK për të goditur të pushtetshmit, ka futur frikën tek të fortit e mazhorancës nga një anë, e nga ana tjetër ka hequr frikën për të denoncuar korrupsionin.

Kështu, këto ditë në Shkodër ka nisur denoncimi pas tenderit të ujësjellësit të Zogajt, kanë nisur mesazhe në bashkëqeverisje se ai i është dhënë Sandër Shpatit, që është nipi i Tom Doshit, njëkohësisht edhe kunati i Luan Hetës, një drejtues i PS-së së Shkodrës, që prej vitesh është drejtor në Hidrocentralin e Vaut të Dejës.

Ndërkaq, dalja e fakteve për Doshin nga Australia për trafiqet e narkotikëve, ka destabilizuar të fortin e Kryeministrit, i cili ka kërcënuar se nëse e lëshon edhe atë si të tjerët, atëherë do t’i dalë kundër. Një situatë politike kaotike megjithatë mund të jetë në favor për vetëm pak kohë nëse kontrollohet, por planet nga mafia janë që të nisë një valë destabilizimi i gjerë, në mënyrë që të pengohet revanshi i SPAK dhe sekuestrimi masiv i pasurive të mafiozëve dhe politikanëve të korruptuar.

Një material sekret qarkullon në mjediset diplomatike të Tiranës, ku thuhet se FBI dhe DEA kanë informacion për një trazirë që po përgatitet në shtator.

Nga ana tjetër, dyshimet janë se destabilizimi në shkallë të gjerë i leverdis Edi Ramës, për të mjergulluar situatën dhe për të vënë kontroll tek të pabindurit e partisë së tij. Ndaj ka gjasa që plani i variantit Xhafa të ketë edhe një mbështetje ndërkombëtare. Të cilët po e shohin Edi Ramën si një potencial trazirash.

Në këtë rast, edhe i vetmi “asset” që ruante kryeministri në këto vite si një e keqe e domosdoshme për të ruajtur stabilitetin, ka rënë. Gjasat janë për një kabinet të përbashkët PS-PD por që do të përbëhet jo nga politikanë të nivelit të lartë.

Emërimi i Taulant Ballës në ministrinë e Brendshme, mësohet se ka qenë një manovër e Ramës, për të treguar se ai nuk do ta pranojë këtë tezë./Pamfleti

ps edi rama shtatori i grupeve të zjarrit

Lini një Përgjigje