
Në Bruksel sot zhvillohet Konferenca e Tretë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-në, ku do të hapet grup-kapitulli 6 për politikën e jashtme.
Delegacioni shqiptar do të kryesohet nga vetë kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama foli nga Brukseli teksa mbërriti për mbajtjen e konferencës së tretë ndërqeveritare. Rama tha se hapja e negociatave për klasterin ‘Marrëdhëniet me jashtë’ është një hap i rëndësishëm për Shqipërinë.
“Jemi këtu për një hap të rëndësishëm dhe të hapim një klaster të ri që është shumë i rëndësishëm për planet tona. Ne duhet të vazhdojmë para dhe ambicia jonë është të hapim më shumë klaster deri në pranverë dhe më pas të jemi të sigurt që vitin e ardhshëm të mbarojmë me hapjen e kapitujve. Është ditë e mirë për vendin tonë dhe është hap motivues për të gjithë ne”, tha Rama.
Çelja e negociatave për klasterin 6 përfshin dy kapituj:
Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme
Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes
Ky pritet të jetë grup-kapitulli që do të mbyllet më shpejt në procesin e negociatave, pasi Shqipëria e ka njësuar plotësisht politikën e jashtme me atë të BE-së, kryesisht në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit ndaj Ukrainës.
Kjo konferencë e tretë ndërqeveritare do të jetë e dyta gjatë presidencës hungareze, pas asaj të mbajtur në Luksemburg më 15 Tetor çeli zyrtarisht, ku Shqipëria hapi pesë kapitujt e anëtarësimit pjesë e çështjeve themelore si Gjyqësori të Drejtat Themelore, Drejtësia, Prokurimet, Statistikat, Sigurinë dhe Kontrollin Financiar.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, së bashku me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës (30, 31) të grupkapitullit të VI.
Axhenda
Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare III për grupkapitullin VI: “Marrëdhëniet me Jashtë;
07.50 – Mbërritja në “Europa Building” dhe doorstep (Vendi:Europa Building)
08.00 – Hapja e Konferencës Ndërqeveritare 3 për grupkapitullin VI: “Marrëdhëniet me Jashtë”
10.00 – Konferencë e përbashkët shtypi e Kryeministrit Rama me z. Péter Szijjártó, Ministër i Punëve të Jashtme të Hungarisë (e cila mban Presidencën e Këshillit të BE), dhe znj. Marta Kos, Komisioneri për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin.
Lini një Përgjigje