
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga qelia lidhur me krizën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese për mandatin e Holta Zaçaj.
Meta tha se kjo është një luftë e brendshme mes fraksioneve të Rilindjes, duke akuzuar qeverinë për ndërhyrje dhe manipulim të procesit për emërimin e anëtarëve.
Sipas tij, drejtësia është e kapur nga mazhoranca, duke e quajtur “Narkodrejtësi” që vepron sipas interesave të qeverisë dhe grupeve kriminale.
Meta bën thirrje për protesta dhe mosbindje civile si e vetmja rrugë për t’i dhënë fund qeverisjes së ashtuquajtur “Narkoregjim”.
“Kriza e shpikur për Gjykatën Kushtetuese tregon NarkoRepublikën që ka zaptuar zyrat e shtetit dhe qeveris sipas urdhrave të mafias dhe narkotrafikantëve.
Gjykata Kushtetuese është prej kohësh në krizë te thellë të moszbatimit të ligjit dhe Republika prej kohësh është vetëm në letër për shkak të kapjes së drejtësisë nga Edi Rama dhe përkrahjes, që i është dhënë kësaj drejtësie nga Narkodiplomatë të caktuar.
Prej vitesh u bllokua KED sepse nuk dilnin goglat si i kërkonte Edi Rama për ta rrëmbyer me çdo kusht e çdo mjet.
Gjyqtari përgjegjës për falsifikimet u amnistua nga SPAK, gjoja për mungesë pasojash, sepse bllokimi për vite i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte problem dhe nuk kishte pasoja sipas për SPAK-ut të Edi Ramës.
Ky debat i shpikur reflekton luftën e brendshme te fraksioneve të "Rilindjes" brenda drejtësisë për ta kontrolluar atë për interesat dhe përfitimet e tyre të pista, por edhe në përmbushje të qëllimit të Edi Ramës për të kontrolluar Gjykatën Kushtetuese 9-0 vitin e ardhshëm si vijim i skenarit të dështuar të betimit tek Lana që u asgjësua në atë kohë nga unë, si President i Republikës.
Zgjidhja e kësaj krize të stisur nuk vjen përmes Gjykatës Kushtetuese, por vetëm nga respektimi i nenit 2 të Kushtetutës "Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit".
Ndaj vijimi i protestave dhe mosbindja civile është rruga e vetme për t'i shkurtuar ditët Narkoregjimit që mbahet në këmbë nga Narkodrejtësia”, shkruan Meta.
Lini një Përgjigje