
Raportet mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke duket se janë qetësuar. Mediat helene shkruajnë se pas përfundimit të ceremonisë së varrimit të kryepeshkopit Anastas, Kyriakos Mitsotakis, pati një takim kokë më kokë me Edi Ramën.
Sipas tyre, nuk dihet me detaje se për çfarë është folur, por në foks kanë qenë me patjetër raportet mes të dyja vendeve.
“Sigurisht që kemi marrëdhënie të mira dhe duhet të kemi marrëdhënie të mira. Ne jemi vende fqinje dhe çdo problem duhet ta zgjidhim me dialog”, theksoi Mitsotakis.
“Ne jemi miq. Ai erdhi këtu dhe unë kam nderin të jem një mikpritës i mirë. Kështu pimë një kafe, folëm për gjëra të ndryshme dhe nuk kam çfarë të ndaj me ju. Nuk ka asnjë problem. Gjithçka është në rregull”, theksoi nga ana e tij Edi Rama.
Duhet theksuar se qeveri shqiptare në fund të dhjetorit ka hedhur një hap të rëndësishëm në manovrat për t’i bërë qejfin Greqisë. Qeveria ka marrë një vendim, ku i jep drejtën cilitdo që ndjehet minoritar të vetëdeklarohet i tillë nëpërmjet një formulari që tashmë është miratuar nga qeveria, bazuar në një kërkesë të kahershme e qeverisë greke. Të drejtën e vetëdeklarimit si pjesë e një minoriteti të caktuar e kanë jo vetëm ata që jetojnë në zona të caktuara, por cilido qytetar pavarësisht qytetit apo fshatit ku banon.
“Personi, që pretendon se i përket një pakice kombëtare dhe kërkon të identifikohet si i tillë, paraqet formularin e vetidentifikimit pranë të njëjtit komision të ngritur në ministrisë përgjegjëse për punët e brendshme për shqyrtimin e kërkesave për njohjen e një pakice kombëtare. Faktorë, si gjuha, feja, kultura ose traditat ofrojnë një bazë të mjaftueshme për qëllimin e vetidentifikimit”, thuhet aty.
Vendimi parashikon ngritjen e një Komisioni të posaçëm, i cili do të shqyrtojë formularët, e që do të kryesohet nga Ministria e Brendshme, ndërsa në përbërje do të ketë edhe përfaqësues të komitetit të pakicave, ministri dhe institucione të tjera në varësi të qeverisë si dhe anëtarë të shoqërisë civile të propozuar nga përfaqësuesit etnik.
Lini një Përgjigje