TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Maj 2024, 11:33

Sheiku Fatmir Mediu na flet në emër të Amerikës dhe ambasada vazhdon të heshtë!

Shkruar nga Sokol Pepushaj

 Sheiku Fatmir Mediu na flet në emër të Amerikës dhe ambasada

Të lobojë Fatmir Mediu në Amerikë për të nesërmen e Shqipërisë, është jo vetëm skandal, por edhe presion ndaj SPAK-ut që po e zgjat gjyqin ‘tërhiq e mos këput’...

Dje ambasada amerikane shpërndau një lajm të bukur, paçka se mediat tona të financuara dhe drejtuara nga mafia, e kaluan me heshtje.

Drejtuesja e Korpusit të Paqes Carol Spahn, erdhi në Shqipëri në vizitën e parë zyrtare në vendqëndrimet e Korpusit, ku do të hapë një sesion trajnimi për vullnetarët e sapo betuar, nënkuptohet shqiptarë.

Por kolegët me vila në Gji të Lalzit dhe pupla për luftën e interesave, nuk duan t’ia dinë as pse po boshatiset ky vënd, as se banditët që na flasin në emër të Amerikës, dhe që për shqiptarët janë plagë që dhëmbin.

Ndjekim logjikën në log të lojës.

Po dje, sheiku Fatmir Mediu, personi me precedentë të rrezikshëm kriminal, i akuzuar për mashtrim financiar dhe korrupsion për shitjen e municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe Meico tek shoqëritë e huaja ‘Evdin’ me seli në Qipro dhe ‘AEY” me seli në Florida, ku është nën akuzë për vrasjen e 26 personave dhe plagosjen e 300 të tjerëve në tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec dhe korrupsion të përmasave të frikshme, poston në facebook-un e tij një lajm të shëmtuar, por që mediat e 4 Klaneve Mafioze e veshën me shkëlqim.

Të lobojë Fatmir Mediu në Amerikë për të nesërmen e Shqipërisë, është jo vetëm skandal, por edhe presion ndaj SPAK-ut që po e zgjat gjyqin ‘tërhiq e mos këput’.

Se është e një e njëqinda a e pesëqinda vizitë në Amerikë e këtij milioneri që arrin të zvarritë edhe gjyqet, nuk e dimë; por që i ka blerë vilë edhe dashnores atje, këtë e kanë mësuar edhe të gjithë fshatarët këndej nesh.

Pastaj, sa për kujtesë, ky Fatmiri, ministër i Saliut ishte, paratë e krimit me Shkëlzenit i ka ndarë, është akoma i dënuar me burg 3.6 vjet në Itali, ka ndërruar edhe emër, e sa të doni ju ‘litar me lesh të zi’.

Po le të jemi sa më konciz.

Ja skandali që do të duhej të ngrinte dallgë diplomatike, pasi ky që na sjell tetë fotografi dhe shpresë për mbështetje nga Amerika, akuzohet edhe si vrasës.

“Gjatë vizitës në Kongresin Amerikan pata kënaqësinë të takohem me kongremen demokrat dhe republikan, Senatorin Joe Manchin, Kongresmenët Pete Sessions Texas, Tracy Mann Kansas, Ben Celine Virginia, Tim Walberg Michigan, Tom Souzzi New York, Jonathan Jackson, Robert Aderholt Alabama me të cilët biseduam për situatën në rajonin e ballkanit, ndërhyrjet e Rusisë dhe Kinës.

Kërcënimi i parë për rajonin e ballkanit është korrupsioni dhe krimi i organizuar. Mos funksionimi i ligjit dhe institucioneve demokratike, mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, rikthimi tek ndarjet dhe retorikat nacionaliste, konflikteve të vjetra për qëllime pushteti. Mungesa e reformave dhe zhvillimit ekonomik të cilat kanë krijuar terren për ndërhyrje të aktorëve të tretë si Kina dhe Rusia.

Rrezikun nga sjellja e Serbisë e lidhur me politikën e Rusisë, problemet në Bosnjë nga kërkesa për largimin nga Federata e BiH e Republika Srbska dhe rrezikun që mbart ajo.

Situata në Kosovë dhe nevoja për ndërhyrje më aktive nga SHBA në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me qëllim final njohjen reciproke të dy shteteve.

Nevoja për një bashkëpunim të fortë të SHBA me vendet e NATO-s në Ballkan me qëllim parandalimin e çdo konflikti të mundshëm”.

Ndeshja mes Fatmirëve të politikës dhe fatzinjve të popujve të prapavijës, e dimë se është e përjetshme, se me lobime milet edhe lopa e komshisë, por ama, t’i japësh jetë, të mos e ndalosh këtë monstër të shkojë në Amerikë, nuk është e falshme.

Nuk mund ta themi ende, se në cilën kishë falen këta që brenda oborrit të SPAK-ut dhe kangjellave të ambasadës, i vë në lojë edhe vëllai i trafikantit Olsi Rama, me deklarat skandaloze, se përveç patronazhistëve që vjedhin vota e pasuri, askush nuk ka as punë as pungë.

Pra, ju që i ngulni thumbat në jastëkun ku mbështetni kokën, ngjani vërtetë sikur punoni në kopshtin e huaj, sa kohë nuk pastroni nga mbeturinat trupin tuaj, Shqipërinë.

Zgjohuni, zemërohuni, nguljani atyre që po ju shkulin edhe rrënjët e besimit. Mos u kufizoni vetëm me injorimin e skeçit në zgrip të skicografisë ku Fatmir Mediu flet ne emër të Amerikës dhe ambasada amerikane hesht!

Edhe heshtja mund të shpohet!/Pamfleti

sheiku fatmir mediu flet në emër të amerikës ambasada hesht

Lini një Përgjigje