TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Maj 2026, 11:17

“Saranda qytet malor?”/ Ina Zhupa ngre alarmin për 'Paketën e Maleve': Projekt klientelist, synohet grabitja e pronave

Shkruar nga Pamfleti
“Saranda qytet malor?”/ Ina Zhupa ngre alarmin për
Ina Zhupa

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër ndaj përfshirjes së Sarandës në "Paketën e Maleve”, duke e cilësuar këtë skemë si një mekanizëm për grabitjen e pronave dhe jo për zhvillimin e zonave turistike apo malore.

Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën deklaroi se përfshirja e një qyteti bregdetar si Saranda në këtë paketë tregon, sipas saj, se qeveria po përdor ligjin për të favorizuar interesa klienteliste dhe për të shpërndarë prona publike e private përmes investimeve strategjike.

Zhupa ironizoi faktin që Saranda po trajtohet si “qytet malor”, ndërsa kujtoi edhe projektet strategjike të miratuara më herët në zonë. Sipas saj, qeveria po zgjeron skemën për të dhënë toka të tjera në bregdet, duke e larguar fokusin nga zhvillimi real i turizmit.

Deputetja demokrate u shpreh se Paketa e Maleve nuk ka lidhje me rivitalizimin e zonave malore, siç është prezantuar publikisht, por me atë që ajo e quajti “strategji për vjedhjen dhe tjetërsimin e pronës publike dhe private”.

Ajo theksoi se Saranda ka potencial të jashtëzakonshëm turistik dhe duhet të zhvillohet përmes sipërmarrjes së ndershme dhe qytetarëve që investojnë në pronat e tyre, jo përmes skemave që, favorizojnë oligarkët dhe interesat e lidhura me pushtetin. 

"Qyteti i Sarandës tashmë nuk do të quhet qytet bregdetar, por do të quhet një qytet malor, sepse është përfshirë në Paketën e Maleve.

Janë dhënë 5 investime strategjike, që nga e famshmja “pika e vogël” e Mirela Kumbaros në Manastir e me radhë. Tanimë, e kanë përfshirë Sarandën edhe në Paketën e Maleve për të dhuruar edhe toka të tjera publike apo edhe private.

Kjo tregon qartësisht se Paketa e Maleve nuk ka lidhje me propagandën për të cilën u ndërtua, për rivitalizimin e maleve, por ka lidhje me gllabërimin e pronës private dhe publike.

Saranda është një perlë!

Saranda ka potenciale të jashtëzakonshme për t’u zhvilluar, por duhet të zhvillohet nëpërmjet biznesit të ndershëm, nëpërmjet njerëzve punëtorë që të kenë mundësi të zhvillojnë tokat e tyre dhe jo nëpërmjet strategjive të vjedhjes, të tjetërsimit të pronës publike dhe të pronës private", deklaron Zhupa.

paketa e maleve

1 Komente

  1. a
    astrit

    Saranda realisht në pikpamjen gjeografike është vënd malor, pavarësisht se kufizohet me detin. Deti Jonë shtrihet rënzë maleve që fillojnë nga Karaburuni e mbarojnë në kufi me Grekun. Gjatë detit Adriatik vënd banimet në afërsi të saj deri diku mund të quhet vënde bregdetare sepse shtrihen në teritor të rafshët.

    Lini një Përgjigje