
Rama i vendosur për të çuar deri në fund planin për eliminimin politik të Veliajt....
Kryeministri Edi Rama duket se po bëhet gati për zgjedhje të reja në Tiranë.
Sot pasdite ai zhvilloi një takim te Hotel Tirana me deputetët e zgjedhur të kryeytetit më 11 maj dhe përfaqësues të bashkisë, ku ka dhënë direktiva të qarta.
Takimi u shit si një takim në kuadër të përpjekjeve të kryeministrit për të forcuar pushtetin vendor, por sinjalet janë të qarta se po gatuhet diçka më e madhe. Edi Rama po synon t’i japë goditjen finale Erion Veliajt, duke e çuar deri në fund planin e tij djallëzor kundër kryebashkiakut.
Sipas burimeve, Rama ka pasur një porosi kryesore: “Dilni në terren dhe dëgjoni nga afër hallet e qytetarëve”.
Por nëse u kthehemi kronikave të lajmeve, një porosi të tillë Rama ua jepte deputetëve sa herë që vendi ishte në prag të zgjedhjeve. Por edhe pse zgjedhjet sapo kaluan dhe Kuvendi u mbyll, deputetët e Tiranës duket se nuk do të bëjnë pushime.
Sipas porosisë së “shefit”, ata do të duhet të jenë derë më derë në çdo lagje dhe njësi të Tiranës. Madje thuhet se ai u ka lënë 2 javë kohë që të gjejnë problematikat dhe më pas do të ketë një tjetër mbledhje.
Rama u ka dhënë po ashtu një porosi tjetër punonjësve të bashkisë, të cilët duhet të bëjnë kujdes me sjelljet ndaj qytetarëve. Rama ka kërkuar që të zgjidhin hallet dhe problemet e tyre.
Ndonëse në takim nuk është folur fare për zgjedhje të reja, parapërgatitja duket se atë tregon. Tani jemi në sezon vere dhe porositë që ka dhënë Rama duken sikur stonojnë. Pasi nëse nuk bëhet fjalë për zgjedhje, nënkupton se Bashkia e Tiranës po fundoset që pas arrestimit të Veliajt.
Por duke qenë se në shtator do të kemi zgjedhje të reja në Berat, Mat dhe Tepelenë, sinjalet janë se Rama mund të çojë dhe Tiranën në zgjedhje dhe të “mbyllë hesapet” me Veliajn.
Pasi e mashtroi duke e mbajtur afër, në janar Rama i hapi derën SPAK-ut. Më pas lëshoi lot krokodili për disa ditë dhe nisi një fushatë shkarkimesh në bashki, duke larguar çdo besnik të Veliajt. Tani që zgjedhjet e përgjithshme ikën dhe nuk i trembet një revolte nga brenda, duket qartë se vjeshta mund të sjellë zgjedhje të reja në kryeqytet. /Pamfleti
Lini një Përgjigje