
Kryeministri Edi Rama, duket se ka ndryshuar qëndrim lidhur me paktin për emigrantët. Fillimisht u bë e ditur se do të vijnë vetëm meshkuj, por Rama ka thënë në mediat italiane se nuk është e vërtetë. Sipas tij, përjashtohen vetëm gratë shtatzëna dhe fëmijët, ndërsa gratë e shëndetshme do të strehohen në Gjadër.
‘Edhe në Shqipëri është krijuar ky keqkuptim, që do të ishte dhe i drejtë, nëse do të ishte i vërtetë’, tha Rama.
‘Mendoja se debati do të ishte më i qetë në mënyrë të përgjithshme, qoftë në Itali, edhe në Shqipëri. Por ky nuk është akord kapitullimi, apo pushtimi, nuk është një akord që bëhet pa matur kapacitetet dhe mundësitë’, shtoi ai.
Rama komentoi dhe njëherë deklaratat e sivëllezërve socialistë italianë që janë pozicionuar kundër kësaj marrëveshje. E duke e vendosur shenjën e barazimit mes qëndrimit të së majtës italiane me atë të së djathtës shqiptare për këtë çështje, Rama kërkon që në të dy vendet mos përdoren bindjet politike për ta vlerësuar, por të shihet objektivisht si një zgjidhje e drejtë siç ai pretendon se është.
Lini një Përgjigje