TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Nëntor 2023, 18:00

Ilir Meta drejt fatit të Ivo Sanaderit? Si SPAK po ndjek shembullin kroat me hetimet për ish-presidentin

Shkruar nga Pamfleti
Ilir Meta drejt fatit të Ivo Sanaderit? Si SPAK po ndjek shembullin kroat
Ivo Sanader dhe Ilir Meta

“Pamfleti” ka bërë një krahasim mes asaj që i ndodhi Ivo Sanaderit në Kroaci dhe metodës që po ndjek SPAK për hetimet ndaj Metës dhe duket se po shkohet drejt shembullit kroat...

Ish-presidenti, Ilir Meta duket se e ka punën pisk me drejtësinë. Ata prokurorë që ai i dekretoi vite më parë, po i qepin letrat dhe sinjalet janë se nuk do të jetë e largët dita e përballjes së tij me gjykatën.

Meta ngjiti shkallët e SPAK pak ditë më parë për aferën CEZ-DIA, duke u marrë për herë të dytë në pyetje. Por sipas burimeve, ndryshe nga rasti i Berishës kur SPAK u mjaftua me Kompleksin “Partizani” dhe ngriti akuza duke interpretuar aktet e qeverisë, te Meta do kemi një rast shumë më ndryshe.

Burime të sigurta i thanë “Pamfletit” se po punohet intensivisht në dy drejtime. Në njërën anë po hetohet dosja CEZ-DIA dhe hetimet i drejton Altin Dumani, por nga ana tjetër kemi dhe një hetim tjetër, ku janë bashkuar disa dosje. Sipas burimeve, në dosjen e lobimeve në SHBA, janë bashkuar paditë për ndërhyrjet estetike dhe për fshehje pasurie. Prokurori Sotir Kllapi po heton këtë bashkim dosjesh për fshehje të ardhurash, pastrim parash, fshehje pasurie dhe falsifikim dokumentesh. Ashtu siç po ecin para hetimet për CEZ-DIA, po ecin hetimet dhe për dosjen tjetër ku janë pyetur shumë individë, teksa ka ardhur nga SHBA dhe një letër-porosi. Po ashtu kanë ardhur përgjigje nga shtete të tjera sa i takon ndërhyrjeve estetike. Mësohet se SPAK-u ka kryer përgjime dhe ka siguruar materiale të tjera hetimore, teksa flitet dhe për dëshmitarë të penduar.

Një ditë më parë gazetari, Artan Hoxha tha se dy biznesmenë të afërt me Metën janë thirrur në SPAK dhe u janë sekuestruar telefonat. Dyshohet se ata kanë pasur komunikime të vazhdueshme me ish-presidentin dhe SMS-të apo bisedat do të jenë pjesë e dosjes. Po ashtu mësohet se edhe Ilir Kulla dhe Dorian Duçka u morën në pyetje po për Ilir Metën. Më tej mësohet se po bëhen dhe verifikime pasurore, brenda dhe jashtë vendit.

Me pak fjalë, SPAK-u po punon në shumë drejtime dhe plani është që kur të shkohet në gjykatë, të ketë një dosje të kompletuar me prova e fakte që “gozhdojnë” ish-presidentin.

Por kjo metodë që po ndjek Prokuroria, është e ngjashme me atë që bëri homologia kroate "USKOK" kur arrestoi ish-kryeministrin, Ivo Sanader. Rasti i tij ngjason në shumë aspekte me Metën. Ish-presidenti akuzohet se ka përfituar duke favorizuar CEZ-DIA. Ndërsa Ivo Sander u dënua sepse kishte përfituar 10.000.000 € nga kompania hungareze "MOL", për ta favorizuar atë në tregun kroat.

Sa i takon hetimeve, gazetarët raportonin që Sanader mbante ora dore shumë të shtrenjta, një prej të cilave vlente mbi 100.000 Euro. Hetimi ka nisur pas indicieve të para dhe ishte shumë i vështirë grumbullimi i provave. Hetimi u krye nga një skuadër, që konsistonte nga 7 Prokurorë dhe që punonin 16 orë në ditë përfshirë të Shtunat dhe të Dielat. Është arritur të merren fakte të rëndësishme, që çonin në konkluzionin se ish-kryeministri ishte përfshirë në aktivitete korruptive kriminale. Dëshmitarë të ndryshëm janë kontaktuar ku kanë dhënë fakte shumë të rëndësishme veçanërisht për fillimin e procesit.

Gjatë hetimit janë marrë në pyetje më tepër se 500 persona, disa prej tyre më shumë sesa njëherë në mënyrë të përsëritur. Një prej tyre, bashkëfajtor me ish-kryeministrin, është Mladen Barisiç dhe është pyetur 19 herë, pasi prokurorët nuk besonin në deklaratat e tij. Prokurorët i kanë kërkuar gjykatës të vendosë monitorim me kamera dhe audio-regjistrime. Gjithashtu, një hetim i hollësishëm financiar është kryer lidhur me pasurinë e Sanader. Ka pasur një bashkëpunim me agjencinë e parandalimit të pastrimit të parave të pista, administratën tatimore dhe ndihmë të veçantë ligjore nga Austria dhe SHBA-ja.

Pak a shumë e njëjta gjë po ndodh dhe me Metën. Mbetet të shihet se çfarë do të vendosë në fund gjykata, pasi Sanader u dënua 3 herë me një total prej afro 18-vite burg. /Pamfleti

Lini një Përgjigje