TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Nëntor 2023, 16:24

Intervista/ Kryebashkiakja shqiptare në Itali rrëzon paktin Rama-Meloni: Nuk zgjidh gjë, Shqipërisë po i ikin qytetarët e saj

Shkruar nga Pamfleti
Intervista/ Kryebashkiakja shqiptare në Itali rrëzon paktin
Sindi Manushi

Pakti është shpërdorim i parave publike për të cilat nuk jemi të sigurt se ku do të përfundojnë. Nuk dua të them që paratë në Shqipëri do të zhduken, por po them që Shqipëria nuk ka asnjë lloj rrjeti pritjeje, nuk ka emigracion në Shqipëri, sepse njerëzit ikin nga Shqipëria.

Kryebashkiakja e parë shqiptare në Itali, ka rrëzuar paktin Rama-Meloni për emigrantët. Sindi Manushi është zgjedhur kryetare e bashkisë në Pieve di Cadore, në zonën Belluno, në zgjedhjet lokale që u mbajtën këtë vit. Me origjinë nga Elbasani ajo ka emigruar në Itali së bashku me familjen që në moshën 9-vjeçare dhe i njeh mirë të dyja vendet. Në një intervistë për Corriere Della Sera, ajo ka folur për paktin Rama-Meloni. Sindi Manushi e ka rrëzuar këtë iniciativë. 

Intervista  

-Çfarë mendoni për marrëveshjen mes kryeministrave Meloni dhe Rama?

Shumë zhurmë për asgjë, për të cituar Shekspirin, në kuptimin që nuk mendoj se marrëveshja mes dy vendeve zgjidh gjë.

-Tre mijë persona për të cilët do të duhet të merret një vendim për riatdhesimin brenda 28 ditëve...

Si kryebashkiake mbetem konkrete: edhe në Itali këtë vit ka pasur shumë pak riatdhesime.

-Sipas disave, kalimi përmes Shqipërisë mund të dekurajojë eksodin.

Asgjë nuk është e vërtetë. Para së gjithash për vetë shpirtin e emigrantit, sepse nëse emigranti ka nevojë të arratiset, të kërkojë shpresë diku tjetër, ai thjesht e bën atë. Ai sigurisht nuk dekurajohet nga perspektiva për të përfunduar në njërën anë apo tjetrën të Adriatikut.

-Shqipëria do të shihet vetëm si një fazë e rrugëtimit të tyre...

Shqipëria tashmë është pjesë e rrugës ballkanike dhe mbi të gjitha nuk është destinacioni. Nuk shoh asnjë pengesë për një emigrant të natyrës psikologjike apo motivuese.

-Pra një opinion negativ?

Shpërdorim i parave publike për të cilat nuk jemi të sigurt se ku do të përfundojnë. Nuk dua të them që paratë në Shqipëri do të zhduken, por po them që Shqipëria nuk ka asnjë lloj rrjeti pritjeje, nuk ka emigracion në Shqipëri, sepse njerëzit ikin nga Shqipëria.

-Kështu që?

Ne po i japim para një vendi që nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, një vendi në zhvillim, i cili ka një incidencë shumë të lartë të korrupsionit dhe ne nuk kemi kontroll.

Pika që qendra ruan juridiksionin italian është e diskutueshme: megjithatë ndodhet në një territor të huaj ku ligjet dhe zakonet janë shqiptare. Sapo i jepen paratë shtetit shqiptar, ne nuk mund të kontrollojmë se çfarë do të ndodhë me ato para.

-Një operacion i rrezikshëm?

Kam vetëm një dyshimin dhe pyes veten: pse qeveria italiane donte t'i dhuronte këto para një vendi të huaj dhe aktorëve të huaj në vend të aktorëve italianë në territorin italian?.

-Si funksionon sistemi i pritjes në Itali?

Ka mikpritje, por jo integrim, ne po flasim për ushqim dhe akomodim që u ofrohet njerëzve që vijnë këtu, asgjë më shumë, asnjë mjet që këta njerëz të integrohen në strukturën sociale. As një kurs gjuhe, as një psikolog, as një ndërmjetës kulturo-gjuhësor për të cilin në fakt punojmë gjithmonë në raste urgjente, në zonën e Bellunos si kudo në Itali. /Pamfleti

Lini një Përgjigje