Pasi i hëngri dardha pas shpine, Rama shkarkon Prefekten e Fierit, afron ish-deputetin e LSI Vangjel Tavo
Kryeministrit, Edi Rama ka bërë ndryshime në rang prefektësh, duke larguar ata që i hanë dardha pas shpine dhe duke afruar ish-LSI-stët.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Rama ka shkarkuar nga detyra Prefekten e Fierit, Rajmonda Balilajn, e cila u mor nën hetim nga SPAK. Prokuroria e Posaçme e akuzon për abuzime me tenderë, teksa GJKKO ka vendosur dhe masë sigurie pezullim nga detyra për të. Por Rama ka vendosur ta shkarkojë, duke ndjekur të njëjtën rrugë me të gjithë ata që i kanë ngrënë dardhat pa leje.
“Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave, vendosi: Znj. Rajmonda Balilaj, prefekt i Qarkut të Fierit, lirohet nga kjo detyrë”, thuhet në VKM.
Por vendimi më surprizë është ai i emërimit të Vangjel Tavos prefekt në Vlorë. Sipas vendimit të qeverisë, është larguar nga detyra Flamur Mamaj dhe në vend të tij është emëruar ish-deputeti i LSI-së.
“Z. Flamur Mamaj, prefekt i Qarkut të Vlorës, lirohet nga kjo detyrë. Z. Vangjel Tavo emërohet prefekt i Qarkut të Vlorës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”, thuhet në vendim.
Tavo u përfol pak ditë më parë se mund të marrë postin e kryebashkiakut në detyrë të Himarës. Duke qenë se gjykata kërkoi që të largohet Jorgo Goro, mediat greke njoftuan se Rama i ka bërë propozim Tavos të jetë në detyrë derisa të mbahen zgjedhjet. Por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe Rama ka vendosur ta emërojë Prefekt të Vlorës.
Sa i takon Balilajt, ajo akuzohet se kur ishte kryebashkiake në Roskovec ka favorizuar një kompani në marrjen e dy tenderëve. Madje në një rast e kishte shpallur në media fituesin e tenderit para se të mbyllej gara. /Pamfleti
Lini një Përgjigje