Kryeministri Edi Rama prezantoi sot projektligjin për krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, një ndërmarrje shtetërore e cila do të merret me menaxhimin e mbetjeve në nivel kombëtar.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi mjedisin si kapitullin më të vështirë dhe sfidues të procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Rama u shpreh se në disa zona, si në Himarë, ka pasur përmirësime të dukshme krahasuar me një vit më parë, por sipas tij, vendi ka ende shumë punë përpara.
“Me Himarën e më tutje gjërat kanë shkuar më mirë sesa vitin e shkuar. Ka një përmirësim inkurajues. Ne duhet të vazhdojmë me një ritëm ende më të lartë sa i përket reformave dhe masave ligjore në funksion të objektivit prioritar, kombëtar për anëtarësimin në BE në fund të kësaj dekade”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se procesi i reformave në fushën e mjedisit nuk do të administrohet nga bashkitë, por do të drejtohet në mënyrë të centralizuar, duke i cilësuar këto masa si vendimtare për ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit.
“Dëshiroj që të gjithë pa përjashtim, në të gjitha nivelet dhe territorin që kanë një funksion publik, si të zgjedhur apo si nëpunës të shtetit të lidhur me çështjet e mjedisit, të vetëgjyqësohen se ky është kapitulli më sfidues i negociatave dhe rrugës për në BE”, u shpreh kreu i qeverisë.
Lini një Përgjigje