Universiteti i Harvardit, një nga institucionet më prestigjioze të arsimit dhe kërkimit në botë, do të mirëpresë këtë vit akademik ish-ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati si anëtar të Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare (Center for International Affairs – CFIA).
Ish-kreu i diplomacisë shqiptare në qeverinë “Rama”, ka pranuar ofertën e Universitetit të Harvardit që është universiteti më i vjetër në SHBA dhe vlerësohet si një nga më prestigjiozët në botë.
Ky angazhim shënon një kthim të tretë në Harvard për ish-ministrin, i cili më parë ka qenë pjesëmarrës në një program ekzekutiv për negociatat, si dhe ka mbajtur një fjalë për studentët në cilësinë e ministrit, mbi sfidat me të cilat përballet Europa Juglindore.
Gjatë këtij viti akademik, ai do të angazhohet në projekte kërkimore dhe në një seri leksionesh me studentë, pedagogë dhe studiues, me fokus në analizën e rolit të marrëdhënieve SHBA-BE në konsolidimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit në Europën Juglindore.
Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Harvard, e themeluar në vitin 1958 nga Henry Kissinger dhe Robert Bowie, është institucioni më i madh kërkimor në universitet që trajton çështjet ndërkombëtare. E njohur për ndërlidhjen mes teorisë dhe praktikës, Qendra ofron një platformë unike bashkëpunimi për akademikë, studiues dhe vendimmarrës nga e gjithë bota.
Lini një Përgjigje