
11 dhe 12 shtatori, datat që përfliten për Asamblenë e PS dhe mbledhjen e Kuvendit...
Kryeministri Edi Rama duket se e ka ndarë mendjen për prezantimin e qeverisë së re. Ashtu sikundër “Pamfleti” e njoftoi një ditë më parë, 11 shtatori është data kur do të mblidhet Asambleja e PS.
Sipas traditës, aty do të bëhet dhe prezantimi i ministrave të qeverisë së re dhe i kreut të Kuvendit. Ministrat aktualë janë të gjithë në ankth, pasi askush nuk ka siguri nëse do të jetë më në detyrë apo jo, ndërsa shumë deputetë presin me padurim me shpresën se mos emri është te lista e ministrave. Kjo pasi Rama nuk pyet askënd, por i shpall aty emrat dhe ka shumë nga ata që e mësojnë atë ditë që janë ministra.
Ndërkohë, flitet se një ditë më pas do të bëhet konstituimi i Kuvendit dhe pritet të bëhet betimi i deputetëve. Por kjo është në dorë të presidentit. Parlamenti aktual e mbyll mandatin më 10 shtator dhe legjislatura e re duhet të nisë punën brenda 10 ditësh. Pra, presidenti ka një kufi deri më 20 shtator. Data 12 është më e përfolura, teksa po ashtu shihet si opsion edhe data 15.
Megjithatë, në këtë seancë të parë të Kuvendit nuk pritet të ketë votim të qeverisë. Historikisht votimi i qeverisë së re ka ndodhur në seancën e dytë, pasi në seancën e parë bëhet betimi i deputetëve dhe zgjedhja e organeve të Kuvendit.
“Mbledhja e parë e legjislaturës së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë. Në rast mospranimi ose mungese, mbledhja drejtohet nga deputeti që është pas tij më i vjetër në moshë. Tre deputetë, ndër deputetët me moshën më të re, caktohen nga drejtuesi i seancës të kryejnë përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit. Përbërja e Sekretarisë pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit siç del nga rezultati i zgjedhjeve”, thuhet në rregullore.
Me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre.
Kuvendi, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh një Komision të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Komisioni përbëhet nga 9 deputetë. Menjëherë pas verifikimit të mandateve, deputetët ftohen të bëjnë betimin. Menjëherë pas kryerjes së betimit nga deputetët, procedohet me zgjedhjen e Kryetarit dhe të Byrosë së Kuvendit. Byroja e Kuvendit përbëhet nga Kryetari i Kuvendit, zëvendëskryetarët, sekretarët e sekretariateve.
Sa i takon qeverisë së re, pritet një seancë maratonë në javën e tretë të shtatorit, me gjasë rreth datës 18. Në vitin 2021 seanca nisi në orën 10:00 të datës 16 shtator dhe u mbyll në mëngjesin e datës 17. Rama pritet të prezantojë programin qeverisës për të gjithë sektorët dhe ministrat do të duhet t’u përgjigjen pyetjeve të deputetëve. Më pas do të bëhet votimi i qeverisë dhe, duke qenë se PS i ka numrat, nuk priten surpriza. Më pas do të bëhet betimi në Presidencë dhe me shumë mundësi në javën e tretë do të kemi gati qeverinë e re. /Pamfleti
Lini një Përgjigje