
Kryeministri Edi Rama ndodhet edhe këtë të dielë në Shkodër paas takimit të djeshëm me kryebashkiakët socialistë. Ai ka inspektuar disa zona në qytetin e Shkodrës, ku parashikohet që të ketë investime të reja. Rama ka ironizuar opozitën teksa shprehet se "demokrat jam vetë".
“Unë jam demokrat, por ky është njësh. Shiko si ka ndryshuar Shkodrën… demokrat jam vetë", tha Rama.
Ndërsa se si e shikon Rama të ardhmen e Shkodrës, ai vijoi ironitë teksa shprehet në anglisht: "Shkodra will be great again, se i keni qejf ju këto parullat e djathta”.
Sipas tij, ajo që nuk është bërë në 30 vite në Shkodrën demokratike, do realizohet gjatë mandatit të socialistit Benet Beci. Kreu i qeverisë tregon planet për modernizimin e tregut si dhe shndërrimin e konviktit "Prenkë Jakova” për nxënësit e shkollave profesionale me kushte europiane.
Krah kryebashkiakut Benet Beci, teksa inspektoi disa zona në Shkodër, Rama u zotua se ky qytet do ketë gjithë mbështetjen e qeverisë për të ecur para.
Gjatë konferencës për shtyp nga Shkodra mbrëmjen e djeshme, kryeministri tregoi se segmenti i fundit që është në fazë projekti është pikërisht segmenti nga Shkodra që lidhet me gjithë segmentet e tjera që janë Milot-Balldren.
“Kemi marrë dritën jeshile për financimin e hekurudhës deri në Hanin e Hotit. Po bëjmë dhe studimin e variantit të rrugës që na lidh me Prishtinën duke kaluar nga Shkodra përmes Gjakovës, pastaj lart. Edhe rruga e Dukagjinit që ishte një legjendë e stërpremtuar dhe që nuk kishte më askush besim që do të bëhej, është në kantier dhe vazhdon të punohet”, u shpreh Rama.
Lini një Përgjigje