
Mazhoranca qeverisëse vijon të mos jetë e konsoliduar në Kuvend. Janë bërë disa seanca radhazi që ligjet votohen me më pak se 71 vota dhe sot ka ndodhur e njëjta gjë. Mazhoranca kishte në sallë vetëm 65 deputetë. Socialistët vetë kanë 75 mandate, plus 3 mandatet e PSD, shkon në 78 deputetë në sallë. Pra sot kanë munguar 13 deputetë.
Sa i takon rendit të ditës, PS ka rrëzuar kërkesën e opozitës për të ngritur një komision hetimor për aferën me Portin e Durrësit. Po ashtu u miratua dhe fondi prej 100 mln lekë për partitë politike për zgjedhjet e 14 majit. Ndërkohë marrëveshjes me Malin e Zi për ndërtimin e urës mbi lumin Buna u shty, bashkë me marrveshjen e huasë nëpërmjet Shqipërisë dhe bankës gjermane, KFW për projektin “Zhvillimi i integruar rajonal”. Shkak ishte mugesa e votave në sallë.
Në seancën e sotme pati debate të shkurtra në fillim të saj, por më pas deputetët e braktisën. Thuajse e gjithë opozita nuk ishte në sallë, teksa po ashtu edhe mazhoranca nuk ka pasur asnjë interes. Rasti më skandal ishte kur u diskutua marrëveshja e Shqipërisë me Malin e Zi për ndërtimin e urës mbi Bunë. Salla ishte thuajse bosh.
Në fillim të seancës pati debate mbi atentatin ndaj kreut të PD në Vaun e Dejës. Berisha bëri fajtor Edi Ramën, për të cilin thotë se me heshtjen e tij provoi se qëndron mbrapa atij akti.
“Nuk ka diskutim se në tërë historinë e botës pas çdo atentati politik, qëndron politika. Në mënyrën më të shëmtuar e faktoi Rama me heshtjen kriminale 48 orëshe. U godit për ti marrë jetën një politikani të ri, mbi të cilin janë vetëm ëndrrat dhe idealet më fisnike të njeriut, atdhe dashurisë te besimit të liria. U godit si kundërshtar politik, në mënyrë më kriminale të shëmtuar dhe natyrisht ata të cilët panë se shpëtoi nuk guxuan dot ët shqipërojnë një fjalë të vetme dënimi, solidariteti me familjen, u strukën në labirintet e krimit tyre të shëmtuar dhe ky është Edi Rama”, tha ai.
Nga mazhoranca reagoi kreu i grupit të PS, Taulant Balla, i cili e lidhi sjelljen e Berishës me akuzat që bënte edhe për vrasjen e Azem Hajdarit por që rezultoi ndryshe më vonë.
“Gjithmonë kështu ka bërë. Fajësonte Kryeministrin e asaj kohe të PS. Faktet treguan se ishte komplet një histori tjetër, vetë ky ishte i lidhur dhe e nxori bashkëpunëtorin e tij në pritë. Unë e përgëzoj ministrin e Brendshëm që nuk iu përgjigj, përgjigjen duhet ta japin institucionet. Ngjarja duhet zbardhur. Nuk e bën politika policin apo prokurorin. E sfidoj Berishën, të shkojë t’i çojë në prokurori emrat që gjoja ka. Ka një nen që e detyron të bëjë kallëzimin. Shkoni bëjeni kallëzimin, ose ndryshe mbylleni gojën se mund të ketë gjëra që s’i dihet”, tha Balla në seancë plenare.
Lini një Përgjigje