TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Janar 2024, 15:24

Ndryshime në qeveri/ Rama largon Elva Margaritin dhe i rrudh kompetencat Ervin Metes, i jep “super ministri” Blendi Gonxhes

Shkruar nga Pamfleti
Ndryshime në qeveri/ Rama largon Elva Margaritin dhe i rrudh kompetencat

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të fusë në kabinet një prej emrave më të besuar të tij, duke i dhënë një super ministri...

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të bëjë ndryshime në qeveri në këtë fillim janari. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale ai bën me dije se Ministria e Kulturës është shkrirë dhe bashkë me të është larguar Elva Margariti.

Rama ka propozuar krijimin e një ministrie të re, që do të quhet Ministria e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës. Në krye të saj është propozuar për dekretim te Presidenti, Blendi Gonxhja, aktualisht Drejtor i Drejtorisë së Transporteve.

Sipas Ramës kjo ministri do të bashkojë në një të vetme pjesët që aktualisht funksionojnë të ndara në ministritë respektive të Financave dhe Ekonomisë e të Kulturës. Pra Ekonomia i hiqet nga kompetenca ministrit të Financave, Ervin Mete, duke i rrudhur atij portofolin. Po ashtu Gonxhes i jepet dhe inovacioni, duke krijuar një "super ministri". 

Lipset të kalohet sot në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të cilat për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, sidomos në kushtet kur teknologjia digjitale ka hyrë si një fuqi e re e kohës në të gjitha fushat e jetës dhe kërkon drejtim strategjik, orientim qeverisës e koordinim ndërsektorial; kur kultura nuk mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ajo ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave ajo mund të përfitojë shumë më tepër; kur vetë sektori i ekonomisë në tërësi kërkon një përmasë të re në frontin e qeverisjes.

Për këtë nevojë strategjike të kësaj faze të re të zhvillimit, kam vendosur ndryshimin e strukturës së qeverisë dhe krijimin e një ministrie të re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila do të bashkojë në një të vetme pjesët që aktualisht funksionojnë të ndara në ministritë respektive të Financave dhe Ekonomisë e të Kulturës.

Për drejtimin e kësaj ministrie të re do t’i propozoj sot Presidentit të Republikës, zotin Blendi Gonxhja, një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të

institucionit, orientimin konstant ndaj inovacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët, shpejtësinë e integrimit të nënsektorit përkatës në kornizën e standarteve europiane”, shkruan Rama.

Blendi Gonxhe është një ndër personat më të afërt të Ramës. Ai e ka mbajtur pranë vetes që në bashki, ku ishte nënkryetar. Në vitin 2018 Rama e emëroi në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Por sot kryeministri i ka besuar atij një super ministri me 3 portofole. Edhe pse nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, Rama ka vendosur në një dorë të vetme Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin.

Kur Rama erdhi në pushtet krijoi Ministrinë e Invoacionit me në krye Milena Hariton, por ajo u shkri sepse dështoi si nismë. Si duket kreu i qeverisë ka vendosur ta rikthejë.

Ndryshime në qeveri/ Rama largon Elva Margaritin dhe i rrudh kompetencat

 

Lini një Përgjigje