
Kryeministri Edi Rama ka folur pas mbledhjes online të Asamblesë së PS.
Ai tha se Partia Socialiste është në fazën e angazhimit për anëtarësime të reja dhe në barazimin e kuotave gjinore në disa prej zonave rurale.
“Jemi me anëtarësimet shumë më mirë se çfarë disa nga kolegët mendonin dhe shpreheshin. Tani jemi në fazën e dytë që është faza e angazhimit për anëtarësimet e reja dhe adresimin e balancës gjinore në çdo qark. Nuk mund të them qarqe problematike po ka pika të caktuara kryesisht në zonat rurale ku duhet bërë më shumë punë për të pasur barazi gjinore mes burrave dhe grave”, tha Rama.
Rama u shpreh se Partia Socialiste ndryshon vetveten teksa shtoi se ka një angazhim pozitiv nga drejtuesit politikë në qarqe.
“Ndryshimet janë pjesë e jetës së PS, prandaj PS është fituese sepse nuk pret që ta ndryshojnë tjerët por ndryshon vetveten. Unë shoh një angazhim pozitiv plus që sistemi ynë që ka një komponent gjithmonë e më të zhvilluar digjital, ka pasqyra që flasin vetë dhe nuk ka të bëjë vetëm me atë që raportojmë ne me fjalë”, tha Rama.
Lini një Përgjigje