TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Janar 2024, 14:11

Qeveria “Rama” pa një bilanc për 2023; nga 16 ministra vetëm njëri raportoi në publik

Shkruar nga Pamfleti
Qeveria “Rama” pa një bilanc për 2023; nga 16 ministra
Qeveria "Rama" /

 As Babloku nuk bëri bilanc pune të qeverisë, por dha një konferencë shtypi, ku nuk tha asgjë konkrete se çfarë është bërë e cfarë do bëhet gjatë 2024-ës, përveçse vazhdoi e sulmoi opozitën, mbrojti aferat e Klodian Zotos e Ilir Beqjes dhe deklaroi se do jetë në pushtet sa t’i dojë qejfi...

Qeveria e mbylli vitin 2023 me fishekë zjarre, shpërblime për zyrtarët e lartë të saj dhe koncerte miliona lekë të paguara nga taksat, por nuk dha llogari publike para shqiptarëve, se çfarë zgjidhjesh sociale-ekonomike bëri gjatë vitit 2023 e çfarë do bëjë gjatë vitit 2024.

Asnjë ministër nuk bëri bilanc vjetor sipas sektorëve që administron, përveç Bablokut që  reklamon shifrën 10 milionë turistë; por sipas ekspertëve, shtimi i tyre pati vetëm 40% të efektit të pritshëm financiar në buxhetin e shtetit, për shkak të evazionit fiskal.

Nga 16 ministra që ka qeveria, vetëm ministri Taulant Balla bëri bilanc publik të dikasterit e policisë; madje, paçka se vetëm 6 muaj në detyrë, ai mori përsipër personalisht e institucionalisht dhe skandalet, dështimet e “plagët” që krijoi dhe la paraardhësi Bledar Çuçi në polici. 

P.sh., rezultatet e vitit 2023 nuk bëri bilanc ministrja Belinda Balluku, megjithëse administron 60% të ekonomisë bazë të vendit, si energjinë, naftën e gazin, minierat, transportin ajror, rrugor, detar, drejtorinë e rrugëve, Fondin Shqiptar të Zhvillimit, portet detare, ujësjellësit e mbetjet.

E vetmja gjë që bëri ministrja Balluku, ishte publikimi i një video bashkë me drejtorin e rrugëve Evis Berberi, ku reklamonte koncesionin e rrugës Thumanë- Kashar të oligarkut Bashkim Ulaj dhe një deklaratë justifikuese, se oligarku tjetër Rrok Gjoka është zotuar ta përfundojë Rrugën e Arbrit brenda vitit 2025 pa marrë fonde të tjera shtesë.

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, në vend të bënte bilanc për shkatërrimin e diplomacisë nga Olta Xhaçka, dha një konferencë shtypi, ku tha vetëm dy gjëra: negociatat i pengoi çështja “Beleri”, dhe Shqipëria përfundoi drejtimin e Presidencës së Këshillit të Sigurimit në OKB.

Asnjë fjalë nuk tha për punët dhe problemet e bujqësisë në vitin  2023, as ministrja Anila Denaj, megjithëse kjo ministri është përfshirë në korrupsion me fondet e BE, dhe braktisjen e fermerëve.

Një nga ministrat që duhej të bënte bilanc publik për vitin 2023, por nuk e bëri, është Ervin Mete i financave; madje nuk doli të sqaronte as shkaqet reale të rënies së Euros; vendosjen e taksës 15% e 23% për profesionet e lira dhe muajin se kur do fillojë paga mesatare 900 Euro.

Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro, në vend të bilancit vjetor, ri-publikoi një video të vjetër, duke kënduar e ngrënë qifqi me patronazhistët në Gjirokastër.

Ministri Niko Peleshi, e mbylli me një bisedë online me ushtarakët në misionet paqeruajtës, dhe dha me lajmin se brenda vitit 2024 do vijnë 2 helikopterë të rinj; ndërsa Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, doli duke u dhënë çeqe 2 bebeve të lindur minutat e para të vitit 2024

Bilanc nuk publikuan as ministrat Ogerta Manastirliu e arsimit; Bora Muzhaqi e fëmijëve dhe rinisë; Elva Margariti e Kulturës; Arbjan Mazniku i pushtetit lokal; Elisa Spiropali e marrëdhënieve me parlamentin dhe Majlinda Dhuka e integrimit.

Edhe Babloku nuk bëri bilanc vjetor të qeverisë, por në fund të vitit dha një konferencë shtypi, ku nuk tha asgjë konkrete se çfarë është bërë e çfarë do bëhet gjatë 2023-ës, përveçse vazhdoi sulmoi opozitën, mbrojti Ilir Beqjen dhe deklaroi se do jetë në pushtet sa t’i dojë qejfi./Pamfleti

 

qeveria bilanci 2023 16 ministra

Lini një Përgjigje