Ndërsa Vladimir Putin ka marrë mandatin e pestë si president i Rusisë dhe teksa Donald Trump ka jo pak shanse që të zgjidhet sërish president i SHBA-së, Evropa ka nevojë për një ndryshim radikal të mendësisë në një botë të rrezikshme pas 25 vitesh investimesh të pamjaftueshme në sektorin e mbrojtjes.
Shpenzimet ushtarake do të rriten vetëm këtë vit me 33 miliardë dollarë, teksa rajoni i pajisur kryesisht me një fuqi të butë, po përpiqet të kompensojë kohën e humbur. Një vend i famshëm turistik si Greqia, e njohur edhe për tensionet gjeopolitike apo shkurtimet buxhetore, i rriti që në vitin 2022 shpenzimet në mbrojtje në gati 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Por Greqia është gjithashtu simboli i një sfide tjetër të frikshme për mbrojtjen evropiane: inovacionit. Kompania greke “Lambda Automata”, i krijuar nga ish-inxhinieri i Apple Inc., Dimitrios Kottas, mblodhi 6 milionë euro fonde vitin e kaluar, si pjesë e një vrulli të ri të teknologjisë evropiane të mbrojtjes, e cila shpreson të imitojë suksesin e SpaceX të Elon Musk apo të “Palantir Technologies.Inc”.
Produkti kryesor i Lambda-s, kullat autonome të mbikëqyrjes, janë një shembull i aftësisë së startup-eve për të “bërë më shumë, me më pak” thotë Kottas, në një botë ku një harduer relativisht i lirë mund të përbëjë një rrezik të madh për sigurinë evropiane.
Eksperimentet teknologjike të stilit të Silicon Valley, mund të duken si jashtë hapit me fokusin aktual mbi nevojat e shtimit të prodhimit të një lufte me intensitet të lartë, pasi fabrikat tradicionale po përpiqen të prodhojnë predha në sasi të mjaftueshme për vijën e parë të frontit në Ukrainë.
Por fakti është se po ndryshon natyra e luftës, dhe kjo rrezikon ta lërë Evropën shumë prapa. Sulmet e herëpashershme me dronë në Detin e Kuq, janë një leksion i vyer në luftën asimetrike, pasi po shihet se dronët 2000 dollarësh janë po aq efektivë sa edhe raketat miliona dollarëshe.
Me gjithë ekspertizën që ka në këtë të fundit, industria evropiane e mbrojtjes ka dështuar të jetë një pioniere. Projektet e dronëve janë në plan të dyte. Një raport i fundit i Senatit francez, vuri në dukje probleme edhe më të mëdha sesa shkurtimet e shpenzimeve.
Ai flet për ndryshimin e kërkesave nga ushtria, rënien e qëndrueshmërisë së brendshme, rivalitetin midis furnizuesve të mëdhenj në sektorin e mbrojtjes si dhe mungesën e planifikimit strategjik. Rezultati është më shumë varësi nga furnizuesit joevropianë.
Ndërkohë Inteligjenca artificiale, po e ndryshon shpejtësinë e asaj që Christian Brose, shefi i strategjisë së Anduril Industries Inc., e quan “zinxhiri i vrasjes”. Pra të kuptuarit e një situate, marrja e një vendimi dhe zbatimi i tij. Por edhe pse shtetet anëtare të Bashkimit Evropian po shtojnë blerjet e pajisjeve ushtarake, ata shpenzuan më pak për kërkimin dhe teknologjinë e mbrojtjes në vitin 2022 sesa një vit më parë.
Ndërkohë, fondi i propozuar së fundi nga BE-ja prej 1.5 miliardë eurosh për të stimuluar industrinë e saj të mbrojtjes, është i barabartë me një raund financimi të Serisë E për Anduril, që dhjetorin e kaluar shpiku një vrasës autonom që vepron nga një dron.
Pentagoni në SHBA, që ka një zyrtar të lartë të ngarkuar enkas me luftën algoritmike, kërkoi këtë vit më shumë se 3 miliardë dollarë për aktivitete të lidhura me Inteligjencën Artificiale.
Evropa është shumë prapa SHBA-së në këto fusha, dhe do të përballet me një “sfidë edhe më të madhe” nëse dominimi i Big Tech dhe ekosistemi rrethues i startup-eve do të diktojnë standardet që duhen të ndjekin evropianët thotë Alessandro Marrone, i think tankut IAI.
Promovimi i më shumë inovacioneve në vend, mund të ndihmojë në reduktimin e varësisë së tyre nga shpenzuesi më i madh ushtarak në botë, një nevojë kjo më se urgjente përpara një presidence të mundshme të Donald Trump. BE-ja ka krijuar një qendër për inovacionin e mbrojtjes, ndërsa Franca është zotuar të shpenzojë 2 miliardë euro deri në vitin 2030 për një plan ushtarak të Inteligjencës Artificiale.
Por fondet për këtë fushë janë ende të vogla, ndërsa barrierat për t’u kapërcyer shumë të mëdha. Blerja e pajisjeve ushtarake është një botë rregullash dhe kërkesash të ngjashme me labirintin. Ai favorizon furnitorët e mëdhenj dhe të brendshëm të kësaj industrisë.
Ciklet e zhvillimit janë të gjata dhe të brishta ndaj rrezikut. “Air Street Capital”, një investitor në Lambda Automata, thotë se vlera e kontratave të Ministrisë së Mbrojtjes të Britanisë së Madhe dhënë për kompanitë e vogla dhe të mesme në periudhën 2021-2022, ishte vetëm 4 për qind e shumës që iu dha rivalëve më të mëdhenj.
Evropa kontinentale është e fragmentuar në dhjetëra komplekse ushtarako-industriale, duke subvencionuar industrinë dhe punësimin vendas në mënyra që jo gjithmonë i japin përparësi efikasitetit dhe konkurrencës. Inovacioni duhet të inkurajohet teksa rriten edhe buxhetet e mbrojtjes.
“Paraja është vetëm një pjesë e sfidës”- thotë Paul Eremenko i Universal Hydrogen Co., ish-punonjës i Google, që dikur shërbeu si kreu i seksionit të teknologjisë në Airbus SE. Vendet duhet të trajnojnë grupe inxhinierësh të talentuar, të krijojnë një klimë të favorshme ligjore dhe rregullatore si dhe një mentalitet që simulon sipërmarrësit, thotë ai.
Po ashtu Evropa mund të imitojë Njësinë e Inovacionit të Mbrojtjes të SHBA-së, e cila përshpejton ndërtimin e prototipeve dhe adoptimin e teknologjisë komerciale në ushtri, dhe në të njëjtën kohë inkurajon krijimin e fondeve të reja që investojnë në mbrojtje, siç është fondi i blerjes së “Weinberg Capital Partners Eirene”.
Meqë BE-ja synon të blejë të paktën gjysmën e pajisjeve të saj nga kompanitë me bazë në BE deri në vitin 2030, nxitja e një ekosistemi vendas duket si një lëvizje e pamenduar mirë.
Kompleksi industrial sjell sigurisht rreziqet e veta. Modeli i platformave teknologjike që harxhojnë shumë para, dhe ku fituesi i merr të gjitha, nuk i përshtatet mirë sektorit të mbrojtjes: marzhet e fitimit të Apple prej 25 për qind, nuk kanë asnjë lidhje me atë të Thales SA (vetëm rreth 5 për qind).
Përhapja e teknologjisë së “përdorimit të dyfishtë”, e përdorur për qëllime civile dhe ushtarake, ka potencialin të bëhet jo pak distopike nëse kullat e vëzhgimit të ofruara nga “Anduril” ose “Lambda Automata” do të shfaqen edhe territoret e vendeve tona.
Por këto rreziqe, kërkojnë një bashkëpunim më të ngushtë midis furnitorëve tradicionalë dhe degëve të tyre më të shkathëta dhe më të vogla. Siç është partneriteti i kompanisë “Saab AB” me eksperten e prodhimit të softuerëve “AI Helsing GmbH”.
Nga ana tjetër, Evropa duhet të kompensojë gabimet e së kaluarës në fushën e mbrojtjes, nga mungesa e investimeve deri tek defiçiti i integrimit në industrinë e BE-së. Por ajo nuk mund të injorojë as skenarët që mund të shpalosen në të ardhmen./Përshtati Pamfleti nga “Bloomberg”
Lini një Përgjigje