TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Tetor 2025, 16:38

Pse nuk u prit vendimi i gjykatës për Tiranën? Presidenca sqaron rastin “Veliaj”: I takon Administratives, jo Kushtetueses

Shkruar nga Pamfleti

Pse nuk u prit vendimi i gjykatës për Tiranën? Presidenca sqaron

Presidenti Bajram Begaj ka vendosur që më 9 nëntor të kemi zgjedhje në 6 bashkitë pa kryetarë, përfshi edhe Tiranën.

Për këtë të fundit ka pasur debate ditët e fundit nëse duhej dekretuar apo jo data, pasi Veliaj ka bërë një ankimim në Kushtetuese në bazë të nenit 115, ku thuhet se në rast ankimi, pezullohet procesi i mbajtjes së zgjedhjeve.  

Por Presidenca ka dalë me një tjetër argument juridik. Sipas saj, shkarkimi i Veliajt nuk është bërë për shkelje të rëndë kushtetuese sikundër e ka neni 115, por sepse ai nuk është paraqitur në detyrë për më shumë se 3 muaj. Sipas saj, në këtë rast nuk futet në lojë neni 115 i Kushtetutës, por bazohet Ligji për Vetëqeverisjen Vendore. Bazuar në këtë, presidenca shprehet se Veliaj ka të drejtë ta ankimojë në Gjykatën Administrative dhe jo në Kushtetuese.

Nga praktika dokumentare e çështjes rezulton, se Këshilli i Ministrave ka referuar tek kuadri ligjor, i cili përcakton se shkarkimi për “mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë” përbën rast të ndryshëm nga shkarkimi “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” që parashikon neni 115 i Kushtetutës, gjë që do të thotë se për VKM nr.539, datë 25.09.2025 nuk zbatohet juridiksioni kushtetues për të drejtën e ankimit, por juridiksioni gjyqësor administrativ.

Vendimi i Këshillit të Ministrave që shkarkon kryetarin e bashkisë “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” pezullohet, në rastin kur ndaj tij paraqitet ankim në Gjykatën Kushtetuese. Çdo vendim tjetër që shkarkon kryetarin e bashkisë për shkakun, se ky i fundit “dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata” ose se “propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”, përveçse ankimohet në Gjykatën Administrative (jo në Gjykatën Kushtetuese),  pezullohet vetëm nëse pezullimi urdhërohet posaçërisht nga Gjykata Administrative.

Pse nuk u prit vendimi i gjykatës për Tiranën? Presidenca sqaron

Sikurse rezulton nga dokumentacioni shoqërues i VKM-së, ky sqarim ligjor ka qenë në dispozicion të palës dhe të publikut që në datën 25.09.2025.

Presidenti i Republikës konstaton se në periudhën nga data e miratimit të VKM-së nuk është regjistruar ankim në organin kompetent gjyqësor dhe nuk ka një vendim pezullimi nga ana e tij, ndërkohë që afati i Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve është vetëm 48 orë nga marrja e njoftimit”, njofton Presidenca.

Lini një Përgjigje