
Ermal Hasimja ka reaguar pas publikimit të emrit të tij në listën e kandidatëve të opozitës për Bashkinë e Tiranës. Në një reagim të matur, por të qartë, Hasimja shpreh mirënjohje për propozimin, ndërsa lë të hapur mundësinë për t'u përfshirë në garë vetëm nëse do të ketë një ftesë zyrtare.
“Ndihem padyshim i vlerësuar që emri im është propozuar në listën e kandidatëve potencialë të opozitës për Tiranën dhe falënderoj ata që e kanë propozuar apo mbështetur idenë”, shkruan Hasimja në rrjetet sociale.
Ai thekson se një vendim për kandidaturën e tij do të vijë vetëm pas një oferte konkrete: “Kur të marr (nëse marr) një propozim zyrtar, do të mund të mendohem dhe të marr një vendim”.
Hasimja nuk i kurseu as vlerësimet për dy emrat e tjerë të përfshirë në listë, Florian Hackaj dhe Edlira Cepani. Ai i cilësoi si kandidatë të shkëlqyer për opozitën, duke sinjalizuar një qëndrim bashkëpunues dhe konstruktiv përballë sfidës së përbashkët politike në kryeqytet.
Sipas burimeve, kandidatura e Hasimjës është propozuar nga Partia Mundësia. Ndërkohë, opozita ka njoftuar se po synon të dalë me një kandidat të përbashkët në Tiranë, ndërsa vendimmarrja përfundimtare pritet në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje