
Rezultati i 11 majit i dha Edi Ramës një shumicë të frikshme parlamentare, që përtej çdo makinacioni, tregoi se opozita nuk po arrin të ngjisë në elektorat, ose të ringjallë besimin e shqiptarëve…
Kur kanë kaluar më shumë se 5 muaj nga zgjedhjet e 11 majit, ku opozita regjistroi një nga rezultatet më të dobëta elektorale në 34 vite të pluralizmit, janë shuar pothuajse zërat që në ditët e para pas procesit insistonin për një analizë të asaj që kishte ndodhur.
Sot askush nuk flet në PD për analizë, ndërsa duket se janë në pritje të një lëvizjeje nga kreu demokrat Sali Berisha që vijon të mbajë fort tezën që në 11 maj nuk kishte zgjedhje, por farsë elektorale. Në këtë qëndrim i vjen në ndihmë edhe raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR që evidenton një seri problematikash të lidhura me zgjedhjet, por insistohet që palët të ulen dhe të reformojnë Kodin Zgjedhor.
Në fakt problem i zgjedhjeve në Shqipëri sa i takon përmbushjes së standardeve nuk ka lidhje me Kodin, por me një vullnet politik të aktorëve dhe faktorëve që marrin pjesë në proces, për të respektuar rregulla loje të barabarta, gjë që mungoi në 11 maj, dhe kjo evidentohet edhe në raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë.
Zgjedhjet e 11 majit 2025 ishin një moment vendimtar për opozitën shqiptare. Pas përplasjeve të forta që nisën në fund të 2021 për shkak të përjashtimit të Sali Berishës nga Grupi Parlamentar me firmë të Lulzim Bashës, kryetari i asaj kohe në PD, demokratët nën drejtimin e Berishës hynin në një garë elektorale me premtimin për “riformatim dhe bashkim”.
Por duket se skema dështoi, qoftë edhe duke mos parandaluar manipulimin, sikundër pretendohet. Rezultati i 11 majit i dha Edi Ramës një shumicë të frikshme parlamentare, që përtej çdo makinacioni, tregoi se opozita nuk po arrin të ngjisë në elektorat, ose të ringjallë besimin e shqiptarëve.
Pas shpalljes së rezultatit pati një vrull reagimesh që kërkonin analizë, marrje përgjegjësish, madje duke iu drejtuar gishti i përgjegjësisë te Sali Berisha lidhur me mënyrën se si ndërtoi listat e kandidatëve për deputet, apo se si arriti marrëveshjen në Kuvend me socialistët e Edi Ramës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Në anën tjetër, pati premtime nga Berisha dhe shumë prej figurave të tjera në drejtimin e PD-së se do të kishte një analizë të thellë, e cila pritej të niste në shtator, por kur po mbyllet tetori, kreu demokrat nuk ka ‘guxuar’ të thërrasë as edhe një mbledhje të Këshillit Kombëtar.
Narrativa zyrtare e PD-së pas zgjedhjeve u përqendrua te “parregullsitë elektorale”, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama për një skemë në funksion të manipulimit të zgjedhjeve që niste nga presionet dhe blerja e votës, te angazhimi i krimit në mbështetje të PS-së dhe kandidatëve të saj. Ndërsa kohë më parë akuzonin Lulzim Bashën se mendoi më shumë për karrigen e tij se sa për analizën për humbjen në 2021, pas humbjes në 2025-ën u zgjodh një tjetër strategji: nuk u zhvillua ndonjë Kuvend i Jashtëzakonshëm, por u ndanë me nxitim pozicionet në Grupin Parlamentar, Komisionet Parlamentare, ndërsa në strukturën e partisë u ruajt “status quo-ja”.
Nëse pas 11 majit do të zhvillohej një analizë e plotë, do të ekspozohej përgjegjësia me emra konkretë sa i takon organizimit të fushatës apo kontributit në fushatë, por edhe strategjia e gabuar që u ndoq.
Kjo mund të penalizonte 10 nga 12 drejtuesit e qarqeve, ku demokratët jo vetëm humbën, por morën goditje të forta elektorale përfshi këtu Tiranën, Fierin, Elbasanin.
Ndaj dhe zvarritja e një analize për 11 majin nuk duket thjesht si një vendim rutinë, por një qëndrim politik që tregon qartë se përtej çdo problematike në zgjedhje, PD nuk është gati për të ndryshuar.
Dhe këtu nuk bëhet fjalë nëse duhet të ndryshojë kryetari, i cili sikundër deklaroi do të rikandidojë sërish në pranverën e 2026, por për të ripërtërirë shumë nga pozicionet drejtuese. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje