
Kryeministri Rama ka reaguar sërish lidhur me situatën e zjarreve në vend, ndërsa flakët po përparojnë me shpejtësi në Gramsh dhe Delvinë.
I pyetur në rrjetet sociale se “Përse Shqipëria nuk disponon avionë zjarrfikës?”, Rama u përgjigj duke thënë se përpos faturave ekonomike, situata e rëndë të zjarreve nuk merr zgjidhje përfundimtare nga blerja e avionëve zjarrfikës.
Ai justifikohet duke e krahasuar veten me vendin fqinj, Greqisë. Sipas kryeministrit, edhe Greqia posedon avion zjarrfikës, por zjarret e fuqishme të ditëve të fundit e kanë gjunjëzuar edhe shtetin fqinj.
Rama mburret duke thënë gjithashtu se "këtë vit kemi mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë".
“Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë asesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por…
Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian apo Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?!
Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë për shembull:
Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës; helikopterë janë pak a shumë 20; automjete të tjera afërsisht 3,500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve.
Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë padiskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët”, u përgjigj ai në një postim në rrjetet sociale.
Lini një Përgjigje